Lajme

Ambasadori i Serbisë në Zvicër citon kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin për të sulmuar kryeministrin e Kosovës

Ivan Trifunoviq, i cili ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në ShBA dhe nga ministri i jashtëm Marko Gjuriq është shpërblyer me postin e ambasadorit të Serbisë në Bern, e ka lavdëruar kryetarin e Pejës dhe anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, i cili e ka krahasuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me Sllobodan Millosheviqin.

Në një intervistë për portalin zviceran të lajmeve “20 minuten” ambasadori i Serbisë në Bern, Ivan Trifunoviq, ka folur edhe për situatën në Kosovë.

Ai e ka quajtur qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti si “ekstremiste”.

Si shembull Trifunoviq ka marrë një deklaratë të kryetarit të Pejës dhe anëtarit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri.

Trifunoviq e lavdëroi Muhaxherin duke thënë: “Vetë udhëheqësit e opozitës shqiptare thonë për Kurtin: Ajo që ai po u bën serbëve është e papranueshme. Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka krahasuar veprimin e Kurtit në komunat serbe me veprimin e Millosheviqit në vitin 1989 ndaj Kosovës”.

Lexo më shumë  Krasniqi, Osmanit: Fotoja e Rugovës në sfond nuk e mbulon tradhëtinë ndaj votuesve dhe mbështetësve

Trifunoviq, një biznesmen serb i emigruar në ShBA, ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në Washington dhe nga ministri i jashtëm Marko Gjuriq është shpërblyer me postin e ambasadorit të Serbisë në Bernë.

Trifunoviq tha se qeveria e Kurtit dëshiron t’i heqë qafe serbët e Kosovës ngjashëm siç ka bërë Kroacia me pakicën serbe.

Ambasadori serb në Zvicër tha se policia e Kosovës po hyn në shkolla e spitale të menaxhuara nga serbët, gjë që sipas të gjitha raportimeve të deritanishme është e pavërtetë.

Trifunoviq përmendi, sipas tij, “arrestimet arbitrare” të serbëve në Kosovë, por nuk përmendi me asnjë fjalë sulmin terrorist të bandës së Millan Radoiçiqit më 2023, ku u vra polici i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku.

Lexo më shumë  Kurti: E turpshme mungesa e mbështetjes nga opozita për Feride Rushitin, deri dje mburreshin me të në postime

Megjithatë, sipas Trifunoviq, çfarë po bën qeveria e Kosovës në veri është “saktësisht ajo që Millosheviqi u bëri shqiptarëve”.

Trifunoviq deklaroi se një përfaqësues i qeverisë serbe ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizatë terroriste.

Ai, sipas Trifunoviq, u arrestua, për diçka që hyn te liria e tij e shprehjes.

“A synojnë të arrestojnë çdo zyrtar apo diplomat serb që thotë se UÇK-ja ka qenë një organizatë terroriste – përfshirë edhe mua?”, pyeti Trifunoviq.

Rruga Press

YouTube player