Ambasadori i Kosovës në Shqipëri z. Skënder Durmishi: Jemi një komb, me dy shtete. Mund të bëjmë më shumë për të përkrahur njëri-tjetrin!
Intervistë për ARGUMENTUM.al me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri Z. Skënder Durmishi
Intervistoi: Marjana Doda
“Shqipëria dhe Kosova, përveç historisë dhe sentimenteve, shumicën e orientimeve strategjike i kanë të njëjta, por mund të bëjmë më shumë për të përkrahur njëri- tjetrin, në të gjitha fushat”, kështu shprehet në një intervistë ekskluzive për Argumentum.al Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri Z. Skënder Durmishi.
“Kosova me përvoja solide të ndërtimit të shtetit, me potenciale të mira ekonomike, është adresa e parë bashkëpunuese e Shqipërisë. Kosova që po ndërton shtet modern me standarte demokratike të avancuara, është argument i fuqishëm për Shqipërinë, për mbështetje në politikën e jashtme, në çdo nivel. Për fat të mirë Shqipëria është anëtare dhe e pranishme në shumë instanca e organizata ndërkombëtare ku Kosova ende nuk është anëtare. Kjo është përparësi edhe për ne”, thekson ambasadori.
Konkretisht sa i përket bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve ambasadori thotë:
“Në terma konkrete të forcimit të bashkëpunimit mund të flasim për raporte shumë të mira. Edhe politikisht edhe ekonomikisht. Sepse nuk ka asnjë pengesë, asnjë problem, asnjë kufizim në komunikimet tona të të gjitha llojeve! Mirëpo, nuk mjafton dhe nuk duhet të krahasohemi me veteveten, me të djeshmën tonë. Besoj se duhet të nisemi nga konstatimi se mundemi më shumë, të synojmë më shumë. Kemi potenciale për më shumë. Ekspertët e ekonomisë tashmë na kanë thënë se ekonomitë tona janë komplementare, mund të jenë edhe më të mirë treguesit e bashkëpunimit ekonomik”.
I pyetur për samitin e 23 qershorit ku Kosova nuk mori një dritë jeshile për liberalizimin e vizave, Ambasadori thotë se puna e vizave përtej zhgënjimit, po merr trajtë absurdi!
“Ka zhgënjim sepse kemi plotësuar kushtet e kërkuara, e megjithatë vazhdojmë të jemi të vetmit në rajon, të izoluar, pa mundësi udhëtimi. Brezi im kujton kohën kur kosovarët mund të udhëtonin tërë Evropën pas vizë. Megjithate do të vazhdojmë edhe më tej sepse BE-në e kuptojmë edhe si vlerë, madje para së gjithash si vlerë. Pastaj vijnë avantazhet e tjera”.
Sa i përket Luftës në Ukrainë dhe rrezikut që mund ti kanoset Ballkanit Perëndimor Ambasadori përgjigjet kështu:
“Kur ndihet Evropa e kërcënuar si të mos jetë i kërcënuar Ballkani! Madje disa herë më shumë, për shkaqe që dihen besoj. E para amfiteatri i luftimeve nuk është fare larg nga këtu ku jemi ne. Arsye tjetër për brengosje është se , për fat të keq, në rajonin tonë ka qendra e individë me fuqi politike qe këtë luftë në dyer të Evropës nuk e shohin si rrezik e si kërcënim. Por tregojnë simpati e solidarizim, ku të hapur e ku të heshtur.Ju e dini se në Mal të Zi në vitin 2016 ndërhyrja targetonte direkt kreun e vendit, z.Gjukanoviq, në BeH ka tensione destabilzuese që ushqehen nga jashtë. Edhe ndaj Kosovës janë manifestuar tendeca të tilla, provokime në kufi etj.
Gjithsesi duket se Lufta në Ukrainë e ka unifikuar botën demokratike thotë Z.Durmishi, duke nënvizuar rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s, por njëkohësisht Ai thekson se duhet më shumë kohezion brenda BE-së.
“Zhvillimet në Ukrainë duket se e kanë bërë botën demokratike, sidomos BE-në, për reflektim serioz, që të jenë më të vendosura, më të koordinua, që të evitojnë diskrepancat e qasjet indolente. Kjo gjendje po forcon dukshëm vetëdijën për rolin e pazëvendëseushëm të NATO-s, për fuqizim e zgjerim të Aleancës veri atlantike, por duhet të synohet edhe me më shumë kohesion brenda BE-së”.
Pikërisht edhe në kuadër të një lufte që po zhvillohet në Europën Lindore, i pyetur për armatosjen e Serbisë viteve të fundit, Ambasadori i Kosovës kërkon që veprimet e Serbisë të jenë të qortueshme nga të gjithë, pa përjashtim, duke nënkuptuar kështu jo vetem nga ndërkombëtarët por dhe nga Tirana zyrtare.
“Armatosja e Serbisë, është shqetësuese, dhe dënimet që i janë bërë nga disa vende janë të kuptueshme. Madje mund të ishin edhe më të fuqishme. Kur blihen armë dhe kur kjo shoqërohet me deklarata kërcënuese, të të gjitha llojeve, madje ndonjëherë bëhën edhe veprime provokuese në afërsi të kufirit, si mund të shihet ndryshe tërë kjo veçse si kërcënim serioz. Çfarë mendoj unë? Mendoj se këto veprime të Serbisë duhet të jenë të qortueshme nga të gjithë, pa përjashtim. Në interes të paqes dhe stabilitetit, madje edhe në interes së popullit të Serbisë”.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Ambasadori thekson se: ” Për dialog të vërtetë, që synon normalizim të marrëdhënieve të dy shteve tona fqinjë, që duhet të përfundojë me njohje reciproke”. Ndërsa vlersoji angazhimin e Gjermanisë duke theksuar se Berlini është një zë i fuqishëm dhe, për fat të mirë të rajonit, është edhe krejtësisht i qartë për kursin që duhet të ndjek dialogu si kusht për BE-në.
Intervista e plotë:
-Argumentum.al: I nderuar Ambasador fillimisht më lejoni t’ju falendëroj që pranuat të jepni këtë interviste ekskluzive për Argumentum.al. Si i konsideroni marrëdhëniet aktuale midis Kosovës dhe Shqipërisë, si politikisht dhe ekonomikisht?
– SH.T.Z Skënder Durmishi: Çdo përgjigje në këtë pyetje duhet të filloj nga konstatimi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë speciale. Në terma konkrete të forcimit të bashkëpunimit mund të flasim për raporte shumë të mira. Edhe politikisht edhe ekonomikisht. Pse them shumë të mira? Sepse nuk ka asnjë pengesë, asnjë problem, asnjë kufizim në komunikimet tona të të gjitha llojeve! Trend normal dhe në rritje të bashkëpunimit!
Marrëdhëniet tona, edhe ekonomike edhe politike, sipas të dhënave e statistikave, janë më mirë se çdo herë tjetër në të kaluarën. Këmbimet tregtare që stagnuan gjatë pandemisë po stabilizohen e po shënojnë rritje, komunikimet politike, vizitat e ndërsjella, takimet e drejtuesve të dikastereve qeveritare, delegacioneve parlamentare, etj, janë aktive, të rregullta. Disa madje janë me rezultate rekorde, siç janë takimet dhe vizitat e delegacioneve parlamentare. Janë relaksuar kufizimet burokratike në vendkalimet kufitare. Ka fare pak pritje për procedura doganore të mallrave. Orientimi dhe përcaktimi është që të ketë edhe më tej lehtësime. Siç e dini u formua këto ditë grupi punues për të parë madje mundësitë e unionit doganor… Mbase nuk ka nevojë të them diçka për dinamikën e vizitave turistike. Në kulturë po ecën mirë kalendari vjetor i përbashkët i dy ministrive. Kjo është ana zyrtare e institucionale e kulturës. Kësaj mund ti shtohet dinamika në rritje e komunikimeve të bizneseve, të këngtarëve ne iniciativa private… këngëtarët e Kosovës këtu janë shumë të popullarizuar dhe jane vazhdimisht nëpër skena, klube etj. Gjatë sezonit janë gjithandej të pranishëm në klube, plazhe.
Pra, të dhënat janë në trend rritjeje. Ato mund t’i gjeni në çdo buletin stattikash, këtu ose në Kosovë.
Këto që përmenda janë fakte. Mirëpo, nuk mjafton dhe nuk duhet të krahasohemi me veteveten, me të djeshmën tonë. Besoj se duhet të nisemi nga konstatimi se mundemi më shumë, të synojmë më shumë. Kemi potenciale për më shumë. Ekspertët e ekonomisë tashmë na kanë thënë se ekonomitë tona janë komplementare, mund të jenë edhe më të mirë treguesit e bashkëpunimit ekonomik. Mbetet sfidë dhe objektiv, duke çmuar realisht këto që kemi bërë.
– Duke qëndruar të marrëdhëniet politike dhe ekonomike. Në mbledhjen e 8-të mes qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, mbajtur në Prishtinë, u firmosën 19 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në disa fusha. Çfarë impakti do të kenë këto marrëveshje në ekonominë e Kosovës por dhe të Shqipërisë ?
Marrëveshjet që nënshkruam ditë më parë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, kanë për qëllim kryesor thellimin e bashkëpunimit ekonomik, para së gjithash, por edhe në shumë fusha të tjera, si në shëndetësi, energjetikë, infrastrukturë, bujqësi, arsimi universtar, lehtësime në brezin kufitar, gjendje civile…
Disa nga marrëveshjet janë bërë si vazhdimësi me qëllime operacionale të marrëveshjeve nga Elbasani, disa të tjera janë për të adresuar çështje që janë aktualisht me rëndësi të adresohen, si kërkesë e këtij momenti. Por, të gjitha shkojnë në drejtim të krijimit të kushteve për thellim bashkëpunimi. Ta zëmë brezi kufitar, adreson çështje teknike, relevante për të mundësuar komunikimet e banorëve në brezin kufitar, që do të thotë për të lehtësuar jetën e tyre, ekonomitë familjare. Ose në këtë sens, është edhe rregullimi i rrugëve të fshatrave në afërsi të kufirit. Çka thotë kjo marrëveshje? Pra, qeveritë marrin përsipër të përmirësojnë infrastrukturën rrugore në fshatarat e brezit kufitar të cilat, për arsye të njohura, ( paranoja të kohës së regjimeve komuniste) qëllimisht i linin këto fshtara në gjendje izolimi, me komunikime tepër të vështira. Do të thotë synohet të ndryshohet kjo gjendje, këtë po e bëjnë dy qeveritë tona.
– Samiti i 23 qershorit ishte tejet zhgënjyes për Ballkanin Perëndimor e veçanërisht për Kosovën e cila as kësaj here nuk mori dritë jeshile për liberalizimin e vizave. Ndërkohë janë me qindra qytetarë të Kosovës që marrin pashaporte Shqiptare. A është kjo një formë përbashkimi Shqipëri-Kosovë?
Kjo punë e vizave është edhe përtej zhgënjimit, po merr trajtë absurdi! Janë thënë tashmë e sterthënë arsyet e zhgënjimit tonë. Meqë po më shtroni këtë pyetje, po më duhet të përsërisë komentet ose arsyet e zhgënjimit. Janë kërkuar kushte Kosovës, ato kushte janë plotësuar deri në një. Madje janë dhënë edhe vlerësime afirmative e komplimente Kosovës nga zyrtarë të BE-së e të vendeve anëtare. Parlamenti ka dhënë rekomandime zyrtare. Por, nuk erdhi ajo përgjigjie pozitive, se nuk erdhi! No koment! Ka zhgënjim sepse jemi të vetmit në rajon me këtë kufizim. Ka zhgënjim sepse kemi plotësuar kushtet e kërkuara, e megjithatë vazhdojmë të jemi të vetmit në rajon, të izoluar, pa mundësi udhëtimi. Brezi im kujton kohën kur kosovarët mund të udhëtonin tërë Evropën pas vizë. Sidoqoftë, asesi nuk ka pendim për kushtet e plotësuara. Sepse ato kushte e kritere janë plotësuar me dëshirë, si hapa e veprime që janë në interesin tonë, për sundim të ligjit dhe institucione efikase demokratike. Do të vazhdojmë edhe më tej sepse BE-në e kuptojmë edhe si vlerë, madje para së gjithash si vlerë. Pastaj vijnë avantazhet e tjera.
Puna e pasaportave të Shqipërisë është e veçantë, nuk do ta lidhja me çështjen e liberalizimit të vizave. Pasaportat e Shqipërisë jepen për raste të caktuara, me kushte të caktuara. Kush i plotëson mund të drejtohet tek autoritetet shtetërore të Shqipërisë, por fokusi jonë, mbetet vazhdim pa alternativa ai i kursit drejt BE-së, ku bën pjesë natyrshëm edhe liberalizmi i vizave.
-Z.Ambasador, prej 24 Shkurtit një luftë po zhvillohet në dyert e të Europës, a rrezikon Ballkani rikthimin e një konflikti të hapur nisur edhe nga disa mosmarrëveshje që shkaktojnë herë pas here trazira si në Kosovë, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë ?
Kur ndihet Evropa e kërcënuar si të mos jetë i kërcënuar Ballkani! Madje disa herë më shumë, për shkaqe që dihen besoj. E para amfiteatri i luftimeve nuk është fare larg nga këtu ku jemi ne. Arsye tjetër për brengosje është se, për fat të keq, në rajonin tonë ka qendra e individë me fuqi politike që këtë luftë në dyer të Evropës nuk e shohin si rrezik e si kërcënim. Por tregojnë simpati e solidarizim, ku të hapur e ku të heshtur. Edhe para se të ndodhte kjo luftë ne kemi parë veprime të kësaj natyre që si qëllim, shkojnë përtej mosmarrëveshjeve të brendshme, siç i quani ju. Janë yshtje nga jashtë vendeve që ju përmendet. Ju e dini se në Mal të Zi në vitin 2016 ndërhyrja targetonte direkt kreun e vendit, z.Gjukanoviq, në BeH ka tensione destabilzuese që ushqehen nga jashtë. Edhe ndaj Kosovës janë manifestuar tendeca të tilla, provokime në kufi etj.
-Pas pushtimit rus të Ukrainës, ekspertët thonë se BE-ja dhe SHBA-ja duan të mbështesin stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. A është ky një “momentum” për Kosovën që të konsolidohet në arenën ndërkombëtare?
Kjo mbështetje është e domosdoshme. Mbështetja e rajonit tonë, përkatësisht orientimi euro – atlantik, garancia për demokraci liberale është mbështetje e rajonit por edhe e vetë Evropës. Zhvillimet në Ukrainë duket se e kanë bërë botën demokratike, sidomos BE-në, për reflektim serioz, që të jenë më të vendosura, më të koordinuara, që të evitojnë diskrepancat e qasjet indolente. Kjo gjendje po forcon dukshëm vetëdijën për rolin e pazëvendëseushëm të NATO-s, për fuqizim e zgjerim të Aleancës Veri Atlantike, por duhet të synohet edhe më shumë kohezion brenda BE-së.
A paraqet kjo një shans për Kosovën? Besohet se po sepse pas llahtarit mbi Ukrainën, janë më të besueshme qëndrimet tona, mund të dëgjohen më me kujdes e mirëkuptim. Në KiE aktualisht është pezulluar Rusia e cila vazhdon ende të jetë kundër anëtarësimit të Kosovës. Disa vende hezituese besoj se pas kësaj gjendjeje kanë shumë argumente që të jenë më pak hezituese lidhur me ne.
– Pothuajse janë bërë 11 vite që nga fillimi i dialogut Prishtinë- Beograd por përgjatë këtyre viteve janë bërë hapa shumë të vegjel dhe ndonjëherë kemi parë qëndrim vendnumëro. Megjithate më në fund u arri marrëveshja për zbatimin e marrëveshjes për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë. A është Berlini një garanci për një përmbyllje të sukseshme të ketij procesi duke pare edhe angazhimin e kancelarit gjerman?
Dialogu nuk është refuzuar asnjëherë nga ana e Kosovës. Serbia ka dashur vazhdimisht ta lëjë këtë përshtypje, madje ta imponoje si një fakt të kryer, duke e zhvendosur fokusin nga veprimet e saj shpesh destruktive dhe të kundërta me frymën dhe qëllimet e dialogut. Shumica e marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga Serbia. Preferojnë që as të mos flasin fare, dhe të anashkalojnë bashkëpunimin, për çështjen kyçe e cila duhet tu prijë të gjitha dialogjeve, pra çështen e të pagjeturve. Po kaq anti dialog është anashkalimi i detyrimeve për të zbatuar shpërbërjen e strukturave paralele. Prishtina kërkon rol aktiv, përfshirje të rregullt të subjekteve e struktrave serbe nga veriu i Mitrovicës në institucione legjitime të shtetit të Kosovës. Kjo është vetëm një segment, por mjaft i fortë, se qytetarët serbë dhe përfaqësuesit e tyre institucionalisht të jenë aktiv, pjesë kontribuese e shtetit të Kosovës, shtetit të tyre, ku të realizojnë prosperitein e tyre. Por, dialogu nuk duhet ngatërruar me disa ide e veprime që flasin për dialogun por në fakt mendojnë për të diskutuar lidhur me statusin e Kosovës, ose mendojnë për në trajta e variacione me të cilat synojnë të pamundësojnë shtetin e Kosovës, pengimin e konsolidimit të pozitës ndërkombëtare, ndaljen e njohjeve të reja dhe antarësimeve në organizata ndërkombëtare. Këto gjëra janë të kundërtat e fqinjësisë së mirë. Për dialog të vërtetë, që synon normalizim të marrëdhënieve të dy shteve tona fqinjë, që duhet të përfundojë me njohje reciproke, Kosova është e gatshme dhe nuk i është shmangur asnjëherë. Dominojnë zërat se ujdia për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte hap në drejtim të duhur, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Berlini gjithësesi është një zë i fuqishëm dhe, për fat të mirë të rajonit, është edhe krejtësisht i qartë për kursin e që duhet të ndjek dialogu si kusht për BE-në.
-Kosova ka aplikuar zyrtarisht me 12 Maj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës. Çfarë do të thotë kjo për shtetin e Kosovës dhe sa janë mundësitë që pikërisht Kosova të bëhet anëtare e KE duke zënë vendin e Rusisë e cila u përjashtua për shkak të luftës në Ukrainë?
Po, është e vërtetë. Kosova ka aplikuar sepse e meriton dhe do të jetë anëtare e vyeshme dhe e përkushtuar e KiE-së. Pse e meriton sepse të gjitha kushtet që kërkohen me rregullat e pranimit të anëtarëve të rinj, Kosova i plotëson, madje i tejkalon. Jemi në proces dhe optimist. Nuk do të ishte e drejtë as në frymën e praktikave dhe të natyrës së KiE-së që, për arsye e motive politike, të veprohet ndryshe. Ka sinjale e mesazhe të fuqishme të mbështetjes sidomos nga ato vende që e dinë se çfarë shoqërie, çfarë demokracie po ndërtohet në Kosovë. Që e dinë se cila është cilësia e ligjeve dhe e Kushtetutës, si të tilla dhe si bazë juridike e cila garanton zbatim të kritereve edhe stadardeve për të cilat shquhet Këshilli i Evropës. Po ju rikujtoj se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës përmbajnë postulate e nene të veçanta, e të mjaftueshme për të garantuar zbatimin e standardeve për të cilat është themeluar Këshilli i Evropës- Demokracia, të drejtat e njeriut, etj. Madje me zbatueshmëri direkte p.sh Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta e Kosovës me nene të veçanta(22) precizon se të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet.
Krahas kësaj, fryma juridike e legjislacionit të BE-së është pjesë e ligjeve të Kosovës. Nuk ka asnjë ligj që shkon ndeshë me to. Kosova pra de fakto është aty, praktikisht i zbaton kriteret dhe rregullat e KiE. Do të ishte e kuptueshme dhe e natyrshme që të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës. Kjo do të na gëzonte , por do të ishte lajm i mirë edhe për KiE, do të ishte një zë më shumë në amplifikimin e vlerave dhe ligjeve të KiE-
-Armatosja e Serbisë ka shqetësuar jo pak qeverinë e Kosovës ndërkohë ka patur edhe reagime ndërkombëtare. Po nga Shqipëria a prisni ju një reagim?
Armatosja e Serbisë, është shqetësuese , dhe dënimet që i janë bërë nga disa vende janë të kuptueshme. Madje mund të ishin edhe më të fuqishme. Kur blihen armë dhe kur kjo shoqërohet me deklarata kërcnuese, të të gjitha llojeve, madje ndonjëhëre bëhën edhe veprime provokuese në afërsi të kufirit, si mund të shihet ndryshe tërë kjo veçse si kërcnim serioz. Çfarë mendoj unë? Mendoj se kto veprime te Serbisë duhet të jenë të qortueshme nga të gjithë, pa përjashtim. Në interes të paqes dhe stabilitetit, madje edhe në interes së popullit të Serbisë.
– Z. Ambasador, e nisëm këtë intervistë duke folur për marrëdhëniet ekonomike dhe politike, ndërsa dy vendet tona i lidh diçka me shumë se sa disa marrëveshje në letër. Jemi një komb! Ndaj përtej marrëdhënieve zyrtare cilat janë pritshmëritë e Kosovës ndaj Shqipërisë Mëmë, dhe cili është apeli Juaj?
Jemi një komb, me dy shtete. Nëse ndërtojmë dy shtete të zhvilluara, të prosepruara nderojmë kombin. Të dy vendet, Shqipëria dhe Kosova, përveç historisë dhe sentimenteve, shumicën e orientimeve strategjike i kanë të njëjta: në politiken e jashtme, përcaktimi për fqinjësi të mirë rajonale, integrimet euro-atlantike, orientimet për ekonominë e tregut me konkurencë të lirë, etj.
Ajo që mund të bëjmë, dhe duhet të bëjmë, është që të sillemi arsyeshëm brenda suazave realiste, të jemi të vetëdijshëm për potencialet brenda kësaj hapsire, të fokusohemi në maksimalizimin e shanseve në çdo aspect. Para së gjithash potencialet ekonomike që mundësojnë vetmjaftueshmëri për zhvillim, bazuar në resurset tona. Nga Shqipëria pres të njëjtat veprime sikurse edhe nga shteti im, Kosova. Detyrimin e parë e kemi ndaj vetevetës, qyetarëve tanë, që të bëjmë shtete me sundim të ligjit, me institucione demokratike, gjyqësi profesionale dhe media të paanshme. Veprim të vendosur për reduktim të korupsionit dhe dukurive të tjera negative që molisin infrastrukturën shtetërore dhe vullnetin e qytetarëve. Aktivizimi i potencialeve mbi këtë platformë juridike është supozim bazik se mund të shtoj motivet e brezit të ri që të realizohen në atdheun e tyre, në Kosovë apo në Shqipëri. Pra të bëjmë atë që varet nga ne që të ndalet kjo hemoragji nacionale. Për fat të keq, trendi i ikjes është i frikshëm, jo i lehtë për tu shpjeguar e edhe më pak për tu ndalur. Por le të bëjmë atë që varet prej nesh, dhe duhet besuar se do të bëhet punë e mirë.
Kjo është tabloja e madhe, makro. Në specifika mund të bëjmë më shumë për të përkrahur njëri-tjetrin, në të gjitha fushat. Kosova, me përvoja solide të ndërtimit të shtetit, me potenciale të mira ekonomike, është adresa e parë bashkëpunuese e Shqipërisë. Kosova që po ndërton shtet modern me standarde demokratike të avancuara, është argument i fuqishëm për Shqipërinë, për mbështetje në politikën e jashtme , në çdo nivel. Për fat të mirë Shqipëria është anëtare dhe e pranishme në shumë instanca e organizata ndërkombëtare ku Kosova ende nuk është anëtare. Kjo është përparësi edhe për ne. Kjo ndër të tjera, është edhe puna ime si diplomat në Tiranë. Jam optimist se për të gjitha këto do të nxjerrim më të mirat e mundshme.
Faleminderit!
Rruga Press