Ambasadori britanik i dhuron ATK-së dron dhe pajisje tjera profesionale
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicolas Abbott, ka dhuruar për Administratën Tatimore të Kosovës një dron dhe pajisje të tjera profesionale që do të ndihmojnë për përmirësimin e efikasitetit dhe kapaciteteve të këtij institucioni.
Gjatë vizitës së tij në ATK, e cila është e fundit në mandatin e tij, Abbotti ka shprehur vlerësimin e thellë për bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me autoritetet tatimore të Kosovës gjatë këtyre viteve.
Ai ka thënë se Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka punuar në mbështetjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike të hetimeve tatimore, të cilat janë në interes të luftimit dhe parandalimit të shmangieve tatimore, si dhe të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe krijimit të mundësive të reja për investime.
Sipas komunikatës së ATK-së, ky veprim shënon përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në avancimin e strukturave dhe proceseve hetimore në vend.
Drejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj, u shpreh se vizita e Ambasadorit Abbott është privilegj dhe mesazh për ATK-në, pasi që është në përmbyllje të mandatit të tij. Murtezaj theksoi se Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka dhënë kontribut i cili do të jetë pjesë e pashlyer e historisë tatimore.
“Fokusi i përkrahjes ka qenë çdoherë në pikat ku reflektimi në rezultate ka qenë i pa diskutueshëm. Ne edhe sot kur po flasim pranuam pajisje të cilat do të na ndihmojnë të shtyjmë përpara procese dhe hetime që do të kryhen nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës”, ka thënë ai.
Rruga Press