Ambasadorët e BE-së miratojnë tekstin e liberalizimit të vizave për Kosovën
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizim e vizave për Kosovën.
Ky hap është bërë para miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së.
Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së, përmes një postimi në Twitter.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, teksa e ka komentuar këtë hap ka thënë se ambasadorët e BE-së sapo kanë vulosur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai tutje ka theksuar se ky është hap i fundit për këtë vit dhe hap i cili mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave.
“Në muajt e parë të vitit tjetër mbetet vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillin për Punë të Brendshme”, ka shkruar Shasha në Facebook.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Vendimi për lëvizje pa viza do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janar 2024.
Rruga Press