Alarm në Letoni/ NATO rrëzon një dron që ‘pushtoi’ hapësirën ajrore, Finlanda kufizon trafikun ajror dhe detar
Një dron është rrëzuar nga avionët luftarakë të NATO-s pasi hyri në hapësirën ajrore të Letonisë, duke shkaktuar alarm në pjesën lindore të vendit, pranë kufirit me Rusinë. Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, 14 gusht.
Sipas NATO-s, në përgjigje të incidentit u ngritën në ajër dy Eurofighter italianë dhe dy avionë F-16 turq. Njëri prej Eurofighterëve kreu rrëzimin e dronit. Aleanca ka nisur një hetim për të përcaktuar origjinën dhe rrethanat e hyrjes së tij në territorin letonez.
Forcat e Armatosura të Letonisë njoftuan fillimisht se bëhej fjalë për një mjet ajror pa pilot të huaj, i cili kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit si pasojë e luftës elektronike ruse. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende se kush e kishte lëshuar dronin.
Alarmet për kërcënim ajror u aktivizuan në disa zona të Letonisë, ndërsa më vonë autoritetet njoftuan se kërcënimi kishte përfunduar. Droni u rrëzua në zonën e Balvit, në lindje të vendit, dhe ekipet po shqyrtojnë vendin ku ranë mbetjet.
Në të njëjtën kohë, Finlanda vendosi përkohësisht kufizime në trafikun ajror dhe detar në pjesë të Gjirit lindor të Finlandës, si masë paraprake ndaj kërcënimeve të mundshme nga dronët.
Rusia, ndërkohë, raportoi se gjatë natës kishte rrëzuar 15 dronë në rajonin e Leningradit, pranë kufijve me Finlandën dhe Estoninë, si dhe në zonat përreth Shën Petersburgut.
Incidenti i fundit në Letoni vjen pas një serie rastesh ku dronë të lidhur me luftën Rusi-Ukrainë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s në krahun lindor të Aleancës.
Për vendet baltike dhe Finlandën, episodet po shtojnë shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja gjithnjë e më të drejtpërdrejta për sigurinë e territorit të NATO-s. Autoritetet e rajonit kanë rritur gjithashtu masat e sigurisë rreth infrastrukturës kritike, përfshirë objektet energjetike dhe të furnizimit me gaz.
Rruga Press

