KryesoreLajme

Aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiqin, për krime lufte në Gjakovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjakovë kundër 20 personave. Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiq.

Ky grup prej 20 personash akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve dhe ndaj tyre, Prokuroria Speciale ka kërkuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.

Të akuzuarit, që ngarkohen me veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” u identifikuan nga Prokuroria vetëm me iniciale: M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G. dhe T.A..

Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, “si pjesëtarë të njësive të lartcekura akuzohen për pjesëmarrjen në vrasjen e 107 civilëve gjatë një “operacioni të gjerë ushtarako-policior”.

“Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin dhe 19 serbë të tjerë nën dyshime për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve në Gjakovë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.

Lexo më shumë  Protesta kundër qeverisë hynë në ditën e 67-të/ Qytetarët zbresin sërish sot në shesh, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama

Në arsyetimin për fletarrestimin thuhej se më 1998-99, te vendi u quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, përfshirë edhe të pandehurit, filluan të hynin shtëpi për shtëpi, “ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë shqiptarë dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë”.

Po ashtu, në dokumentin për fletarrestimin thuhej se ky grup personash, ku bën pjesë edhe Radoiçiq, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët u mbajtën në “burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”.

Në fund, siç tha Gjykata Themelore e Gjakovës, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Më 2025, Radio Evropa e Lirë intervistoi disa qytetarë në Gjakovë, të cilëve iu vranë të afërmit në kohën e luftës, të cilët thanë se emri i Radoiçiqit që nga viti 1999 ishte përmendur nga familjet gjakovare.

Luljeta Sharani nga Gjakova, të cilës më 10 maj 1999 iu vra burri, dy djemtë dhe dy kunetërit, tha në maj të vitit të kaluar për REL-in se emrat e serbëve që morën pjesë në dëbimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë janë dërguar prej kohësh në Prokurori.

“Është folur jo vetëm emri i [Millan] Radoiçiqit, por i të gjithë të tjerëve që kanë marrë pjesë në vrasje”, u shpreh Sharani.

Ndërkaq, Ngadhnim Bicurri, të cilit iu vra babai, dy xhaxhallarë po më 10 maj 1999, rrëfeu se kishte parë me sytë e tij personat që i çuan në ekzekutim familjarët e tij.

“Emrat nuk ua kam ditur, por i kam mësuar pasi ka ndodhur rasti”, deklaroi ai.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – veçse kërkohet nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë më 2023. Ai e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës.

Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe për të e akuzon Serbinë.

Rruga Press

YouTube player