Lajme

Aksioni i Policisë në veri, ku u konfiskuan rreth 75 milionë dinarë, BQK: Operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm

Policia e Kosovës të hënën ka zhvilluar një aksion në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, si dhe u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale përfshirë 75 milionë dinarë (rreth 640 mijë euro).

E lidhur me këtë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës theksuan se sipas legjislacionit në fuqi aktiviteti ose operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm.

“Ju njoftojmë se sipas legjislacionit në fuqi aktiviteti ose operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm. Më saktësisht, ai bie ndesh me Ligjin Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, Ligji Nr. 04/L- 155 për Sistemin e Pagesave si dhe instrumentet rregullatore përkatëse.

Lexo më shumë  Pastrim parash me kompaninë 'One'? Gjykata e Lartë rrëzon Arbër Veliajin, vëllain e Erion Veliajt dhe 'Gogel'

Legjislacioni është i qartë se, askush nuk mund të merret me veprimtari të një banke apo institucioni financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga BQK-ja (Neni 5 i Ligjit për Banka) dhe se si institucion i pagesave mund të operojë vetëm një institucion të cilit i është dhënë autorizim nga BQK-ja (Neni 2.19 i Ligjit për Sistemin e Pagesave)”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Tutje, BQK thekson se është institucion kushtetues me autorizime të caktuara ligjore dhe për detyrë përveç tjerash ka të rregullojë, licencojë dhe mbikëqyrë institucionet financiare, derisa zbaton objektivat e saj të mbajë një sistem financiar stabil dhe një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave.

Lexo më shumë  Klodian Allajbeu do të “amnestohet” me shtetësi të Kosovës nga Vjosa Osmani?

“Prandaj, nuk mund të komentojë lidhur me punën e institucioneve të zbatimit të ligjit, ndërsa është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shtetërore në zbatimin e ligjshmërisë në vend sipas kompetencave ligjore”, thekson BQK.

Rruga Press

YouTube player