Aksidenti tragjik që i mori jetën dy fëmijëve në Durrës/ AMP nis hetimet: Policia nuk ka reaguar ndaj denoncimeve të vazhdueshme të banorëve ndaj shoferit
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ka nisur hetimet për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë, pas denoncimeve të bëra nga banorët e lagjes 15 në Durrës, në zonën e ish-Kënetës. AMP thote se sipas pretendimeve të qytetarëve, policia nuk ka reaguar në kohë ndaj sinjalizimeve dhe denoncimeve të vazhdueshme për qarkullimin e mjeteve me shpejtësi të lartë në këtë zonë.
“Ngjarja e rëndë ka ngritur dyshime mbi reagimin e strukturave policore dhe nëse janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e rrezikut, pavarësisht denoncimeve të mëparshme të banorëve. AMP pritet të verifikojë nëse ka shkelje të detyrës nga ana e efektivëve të policisë dhe nëse janë ndjekur procedurat për trajtimin e ankesave të qytetarëve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përgjegjësive ligjore ndaj personave përgjegjës”, thuhet ne njoftimin e AMP.
Ndërkohë të hënën, një ditë pas aksidentit tragjik të shkaktuar nga 57-vjeçari i dehur Nikoll Radaçi, kryepolici Skënder Hita pezulloi nga detyra deri në përfundim të hetimeve zinxhirin komandues të policisë Durrës.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.
Radaçi rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ndërkohë që nga testet e alkoolit është zbuluar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l. Kjo nuk është hera e parë që 57-vjeçari ecte në gjendje të dehur në makinë dhe me shpejtësi. Më parë atij i është pezulluar dy herë patenta në vitin 2020 dhe 2022.
Rruga Press

