AIP e dënon me 8 mijë euro Komunën e Fushë-Kosovës që drejtohet nga Burim Berisha i LDK-së, nuk lejoi qasjet në dokumentet publike
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e ka gjobitur me 8 mijë euro Komunën e Fushë Kosovës, kjo për shkak se kjo komunë nuk ka lejuar qasjet në dokumentet publike.
Dy gjoba nga 3 mijë euro i janë shqiptuar për kufizimin dhe pamundësimin e realizimit të të drejtës për qasje në dokumente publike.
1 mijë iu shqiptuan për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike, ndërsa gjoba tjetër me të njëjtën shumë iu shqiptua për heshtje.
Mes tjerash në vendim shkruan se Komuna obligohet që shumën prej 4 mijë eurosh ta paguajë në afat prej 30 ditësh.
Kërkesa për t’u marrë një vendim i tillë ishte parashtruar nga asamblisti i VV-së Vlojant Hasani, i cili përmes Facebookut publikoi këtë vendim.
“Komuna e Fushë-Kosovës, zyrtarët e Ekzekutivit, vartësit e Kryetarit, bashkë me Kryetarin, me qëllim të plotë e dëmtojnë buxhetin e Komunës, paranë publike, shkelin ligjin dhe mohojnë të drejtat ligjore, kushtetuese dhe administrative, duke mos lejuar qasje në dokumentet publike… Për këtë, sot i’u shqiptua gjobë në vlerën e 8.000€, Kryetarit Berisha, për kërkesat që i kam drejtuar për çasje në dokumentet publike!”, shkroi ai në Facebook.
“Kur “punët” e tyre tentojnë t’i kryejnë fshehtas, duke i lënë qytetarët në terr informativ, duke punësuar e shpërndarë me e pa kriter, harrojnë që është dikush duke i monitoruar dhe vëzhguar për punët e tyre “të ndyta”…Krejt kjo fshehje ndodhë për t’i pamundësuar opinionit informimin për punët e dyshimta dhe të dëmshme që ata i bëjnë…!!! Qytetarët duhet dhe kanë të drejtë të dinë për secilin veprim, sepse këtë u’a garanton Kushtetuta!!!”, shtoi Hasani.
Komisionerja e Agjencisë së Informimit dhe Privatësisë, Krenare Sogojeva-Dermaku, ditë më parë tha se Komuna e Fushë-Kosovës është gjobitur nëntë herë nga ky institucion, e cila nuk ka arritur as pas shqiptimit të gjobave të ofrojë qasje në dokumentet publike.
Përveç kësaj komune për të njëjtën arsye disa ditë më parë u dënua edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe Komuna e Shtërpcës.
Rruga Press