KryesoreLajme

Ahmeti: Presim sonte të kemi lajm të mirë, beteja diplomatike të futemi në rend dite në maj

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, në një bisedë për emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se pret që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të kalojë sonte raporti i raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion. 

Ahmeti duke biseduar nga Strasburgu ka thënë se dita nisi mirë kur në Komitetin për Çështje Politike e Demokraci nuk kaluan rreth 15 amendamente, që nuk ishin në favor të Kosovës. 

“Kemi punuar shumë me delegatë, rreth 300 delegatë në Asamble Parlamentare. Në fund të ditës pres të kemi lajm të mirë për Kosovën për kalim në fazën tjetër”, ka thënë Ahmeti. 

Ai ka thënë se beteja diplomatike pas kësaj do të jetë futja në agjendë në maj në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. 

“Kaluam fazë mjaft të koklavitur ku kishim raportin e juristëve eminentë, pas vizitës faktmbledhëse. Kishte një pyetje që duhej përgjigjur, nëse legjislacioni i Kosovës i plotëson standardet e Këshillit të Evropës. Përgjigja ishte po e qartë, në disa çështje madje i tejkalon standardet ndërkombëtare. Kishim tri raportuese që bënë vizita faktmbledhëse dhe konsoliduan raportin e zonjës Bakoyannis, e cila rekomandon anëtarësimin pa parakushte të Kosovës, si shtet evropian, nëpërmjet nenit 4 të statutit të Këshillit të Evropës, e pa fusnotë denominimi. Është porosi për Komitetin e Ministrave. Beteja diplomatike është të futemi në agjendë në maj”, ka thënë Ahmeti. 

Lexo më shumë  Kundërshtojnë largimin e tregut, tregtarët e Belshit dalin në protestë, futen në ambientet e bashkisë

Ai ka thënë se nga viti 1951 në praktikën e Këshillit të Evropës nuk ka pasur vendim të Komitetit të Ministrave që nuk është në përputhje me rekomandimin e Asamblesë Parlamentare. 

“Nuk shoh arsye pse të vonohet, shtyhet apo kundërshtohet anëtarësimi i Kosovës në maj”, ka thënë Ahmeti. 

Ai ka thënë se ka disa vende të vogla në numër që kanë përmendur parakusht shtesë Asociacionin për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. 

Lexo më shumë  Gërvalla: Ndryshimi i kufijve mund të nisë një luftë në Ballkan  

“Nuk duhet ngatërruar dy procese krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra. Në Bruksel jemi në proces të dialogut për sekuencim, hapat drejt zbatimit të çdo neni të marrëveshjes bazë dhe asaj të Ohrit. Si mund të lëvizet në këtë mënyrë, nëse dy proceset ngatërrohen?” – ka thënë Ahmeti. 

Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të shkojë në përfitim edhe të komunitetit serb në Kosovë. 

“Ata do të kenë mundësi t’i qasen Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut. Kushdo që mendon se është mirë bllokimi i Kosovës është një kontradiktë e madhe”, tha Ahmeti.

YouTube player