Administrata urdhërohet t’i shkojë Ramës në ceremoninë e Markut: ‘Pjesëmarrja, e padiskutueshme!’
Administrata shtetërore është urdhëruar të vihet në rresht sot në orën 11:00 për të marrë pjesë në ceremoninë propagandistike të kryeministrit Edi Rama për të pritur kampionin e boksit Florian Marku.
Rama ka njoftuar të premten në Fb se “kush dëshiron dhe ka mundësi të na bashkohet është i mirëpritur” për një ceremoni të ngjashme si për kampionet e atletikës, Luiza Gegën, por drejtuesit e administratës publike e dinë fare mirë se çdo të thotë kjo xhentilesë.
“Në luftë për çështjen e Partisë, gjithmoooonë gati!!!”
Mesazhi që i ka shkuar dje disa punonjësve të administratës, është i prerë dhe i qartë: “Nesër me urdhër të Drejtoreshës së përgjithshme, në ora 11:00, të gjithë do të jeni prezent te trotuari poshtë dy kullave binjake, me qëllim pjesëmarrjen në ceremoninë për nder të Florian Markut. Pjesëmarrja, e padiskutueshme!”.
Kësisoj, edhe një ndeshje aq emocionuese, një adhurim plot drithërimë për kampionin që bëri krenar qytetarët e vendit të tij, një përqafim apo shtrëngim i dorës së tij – dëshirë e çdo shqiptari, po përdhoset në mënyrën më të pështirë për të grabitur, për të përvetësuar vëmendjen, nga Kryeministri, Kryebashkiaku i Tiranës, Ministrja shofere dhe të godet në stomak më rëndë se grushti i një boksieri.