Opinion/Aktualitet

A do ta marrë Vuçiqi pas vetes Ramën

Nga Agim Nesho

Para disa ditësh, Bordi Editorial i ‘Washington Post’ shkroi që “politika amerikane ndaj Serbisë ka dështuar”. Kjo ishte një goditje e rëndë për politikën e jashtme të drejtuar nga Departamenti i Shtetit, jo vetëm për Serbinë por edhe skenarëve të përkrahur prej tij për Ballkanin Perëndimor. Kishte kohë që në politikën amerikane punohej që Serbia të afrohej me Perëndimin dhe që e ardhmja e saj të ishte në BE. Sigurisht ky pikësynim pozitiv i perëndimorëve u shfrytëzua nga nacionalistët e rinj serbë të Vuçiç për të avancuar skenarët e tij ballkanikë për të rikthyer dominimin serb në Ballkan apo të mundësonte një zgjidhje të re gjeopolitike që do t’i mundësonte atij një fitore. Vuçiç nuk ishte i vetëm në projektet e tij, por kishte përkrahjen direkte të Rusisë, e cila rikthehej në Ballkanin Perëndimor jo vetëm me influencat e saj, por edhe si fuqi e re botërore që do të vendoste për hapësirat europiane.

Këto projekte të Serbisë gjetën përkrahje dhe në grupe interesi edhe në SHBA, si Fondacioni Soros, të cilët mendonin minimalisht se mund të gjenin një zgjidhje për paqen dhe stabilitetin në Ballkan ose maksimalisht të luanin me interesat e rajonit në kushtet e një bote multipolare që dukej se po afrohej. Ky projekt duket që zuri vend në heshtje në politikat e jashtme të SHBA-së në mungesë të një politike konkrete për Ballkanin, por edhe nga lobimi i fuqishëm i bërë në institucionet e shtetit Amerikan.

Për të realizuar këtë skenar, Vuçiç i duhej një bashkëpunim me shqiptarët për ti paraqitur skenarët e tij jo si projekte nacionaliste, por si mundësi zgjidhje për paqen. Pikërisht këtë aleat ai e gjeti te Rama, i cili ishte aventurieri politik që para çdo gjëje pëlqente veten e tij dhe pushtetin e pakufizuar. Bashkëpunimi Rama-Vuçiç u servir si zgjidhja europiane Francë-Gjermani, i cili do të sillte bashkëpunimin e dy kombeve më të mëdha ballkanike për të sjellë paqen dhe prosperitetin ballkanik.

Lexo më shumë  Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin

Nga ky bashkëpunim të dy palët do të fitonin dicka, por Kosova do të ishte sakrifica e madhe. Vuçiç-it i interesonte precedenti i Kosovës për ta përdorur në të ardhmen për unifikimin e hapësirave serbe dhe pse jo si një argument për politikat sunduese dhe revizioniste të Rusisë për të krijuar perandorinë e saj të re. Bashkëpunimi i Ramës me Vuçiç kaloi në periudha të vështira, siç ishin arrestimi i Haradinaj në Francë, përgatitja e dosjeve për udhëheqësit e UCK-së dhe Kosovës nga institucionet serbe për Gjykatën Speciale, ngritja e padisë nga Rama kundër Kryeministrit Haradinaj, deklaratat “super-patriotike” të Ramës për bashkimin e shqiptarëve, dhe shtyrja e projekteve për ndryshimin e kufijve ballkanikë, themelimin e Ballkanit të Hapur nga Rama-Vuçiç si iniciativë për të rikthyer ish-Jugosllavinë dhe dominimin serb në Ballkanin Perëndimor, etj. Aq i përkushtuar ishte Rama me projektet e Vuçiç sa nuk nguroi ta quante veriun e Kosovës si tokë e askujt, duke i dhënë mundësi Serbisë të mbrojë tezen e një konflikti të hapur që kërkonte një zgjidhje.

Por bashkëpunimi Rama-Vuçiç nuk mbaron këtu. Rama, duke qenë një figurë që nuk gjente përkrahje midis shqiptarëve dhe nuk mund të ishte përfaqësuesi i tyre, mori aksion për të zhdukur politikisht liderët shqiptarë si Berisha e Meta, për të qenë i qetë në sundimin e tij dhe për të realizuar projektet e nisura që vetë ai i kishte pranuar “që vijnë njëherë në 30-40 vjet” në politikën botërore. Vetë Vuçiç pranoi se duke votuar opozitën në zgjedhjet e vitit 2021 do të kthehej Berisha në pushtet dhe do të mbroheshin interesat e hapësirave shqiptare në rajon.

Afera korruptive McGonigal ishte vetëm maja e ajsbergut të korrupsionit të Ramës për të bërë një pastrim total në Shqipëri. Përdorimi i SHBA-së në funksion të luftës politike në Shqipëri, në funksion të goditjes dhe ndarjen e opozitës ishte pikësynimi i tij kryesor. Burgosja politike e liderit të opozitës pa respektuar ligjin dhe Kushtetutën është një akt për rivendosjen e një shteti putinesk.

Lexo më shumë  Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin

Dështimi i politikës së jashtme të SHBA-së ndaj Serbisë dhe Vuçiç është një dështim ndaj të gjitha vendeve autokratike të Ballkanit, të cilët kanë shkarë nga rruga demokratike. Zgjedhjet e manipuluara në Serbi, që çuan në zgjimin e ndërkombëtarëve, kanë qenë më të rënda në Shqipëri, ku krimi i organizuar dhe patronazhistët deformuan rezultatin. Por askush nuk ngriti zërin në mbrojtje të demokracisë Shqiptare dhe mbylli sytë ndaj veprimit të autokratit klientelist. Përkrahja e perëndimit për individë të parashikuar si agjentë ndryshimi në Ballkan si Vuçiç-Rama dhe jo përkrahje e institucioneve dhe shtetit të së drejtës në rajon është një gabim që sot po tregon rezultatet. Bashkëpunimi i Vuçiç me Rusinë, hapur dhe sfidues ndaj perëndimit, duke mos vendosur sanksione kundër Rusisë, si edhe insistimi i Ramës për të justifikuar ndërkombëtarisht Vuçiç në këto veprime kundër interesave të Europës, tregojnë qartë se interesat e autokratëve të Ballkanit janë të kundërta me ato të perëndimit. Korrupsioni i madh i këtyre regjimeve i shtyn ato të gjejnë zgjidhje që shpëtojnë pushtetin e tyre.

Po qe se perëndimi nuk do të ndalojë seriozisht në Ballkanin Perëndimor për të rikthyer demokracinë dhe shtetin e së drejtës, e ardhmja e Ballkanit do të jetë e panjohur. Klientelizmi dhe servilizmi i aktorëve Ballkanikë nuk janë garanci për të ardhmen, për më tepër kur sistemi demokratik është në pikëpyetje.

Lidhja e Vuçiç me Ramën në projekte të cilat deri tani mund të mendoheshin si zgjidhje kanë treguar se besimi është shpërdoruar. Thellimi në këtë lidhje do të tregojë aferat amorale të autokratëve dhe çfarë kanë dashur të arrijnë. A po e tërheq Vuçiç, Ramën pas vetes? Çfarë ka Vuçiç për Ramën në këtë aferë “vëllazërore” prej një dekade së bashku? Sa komprometuese janë ato? Pse Rama herë largohet dhe herë pranon Ballkanin e Hapur? Edhe nëse perëndimi mbyll sytë, populli nuk do t’ia falë.

Rruga Press

YouTube player