30 vjet më pas, kërkimi për të dyshuarit për masakrën e fshatit kroat vazhdon ende
Të paktën 48 persona u vranë kur trupat e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë sulmuan fshatrat Skabrnja dhe Nadin më 18 nëntor 1991, dhe tre dekada më vonë, prokurorët ende po hetojnë autorët e dyshuar.
Ivica Bilaver ishte një nxënës 13-vjeçar në vjeshtën e vitit 1991, kur fshati i tij i lindjes, Skabrnja, pranë qytetit kroat të Zarës, u bë fokusi i luftimeve midis forcave kroate dhe Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe luftëtarëve të tjerë serbë.
Herët në mëngjesin e 18 nëntorit 1991, ai dhe familja e tij u strehuan në një bodrum, së bashku me disa fqinjë, pasi fshati u vu nën zjarr artilerie. Rreth orës 9 ose 10 të mëngjesit, dy ushtarë hynë në bodrum dhe i morën armët njërit prej burrave të fshehur aty.
Rreth dhjetë minuta më vonë, “pesë ose gjashtë ushtarë të tjerë erdhën dhe na nxorën të gjithëve nga bodrumi… Ata na rreshtuan, katër të rriturit ishin bashkë dhe ne të tre fëmijët ishim pranë tyre,” u tha Bilaver hetuesve nga Gjykata e Hagës në shtator 2000.
“Na rreshtuan pas murit të shtëpisë dhe katër të rriturit u qëlluan dhe u vranë nga ushtarët”, tha ai. “Më kujtohet që ata që vdiqën ranë të gjithë dhe ne të tjerët ishim ende në këmbë.”
Njëri prej plumbave bëri rikoshet në mut dhe e goditi Bilaverin në këmbën e majtë. Ai u shtrua në spital në qytetin e afërt të Benkovacit dhe më vonë u lirua si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish.
Katër personat, ekzekutimi i të cilëve u dëshmua nga 13-vjeçari Bilaver, ishin Krsto Segaric, Luca Segaric, Stana Vickovic dhe Joso Miljanic. Ata ishin në mesin e të paktën 48 personave që u vranë kur Ushtria Popullore Jugosllave, së bashku me forcat lokale serbe dhe njësitë paraushtarake nga Serbia, sulmuan fshatrat e Skabrnjas dhe Nadinit aty pranë dhe morën kontrollin mbi to më 18 nëntor 1991.
Krimet u hetuan nga Gjykata e Hagës dhe Milan Martic dhe Milan Babic, të dy ish-presidentë të Republikës së Krajinës Serbe, një shtet i panjohur rebel serb në Kroaci, u dënuan të dy.
Por një oficer i lartë i Ushtrisë Popullore Jugosllave, i cili luajti një rol të rëndësishëm në luftimet në zonë, Ratko Mlladiç, nuk u dënua për mbajtjen e ndonjë përgjegjësie. Dënimi me burgim të përjetshëm i Mlladiçit për gjenocid dhe krime të tjera të kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë u konfirmua nga Gjykata e Hagës në qershor të këtij viti, por ai nuk është shpallur fajtor për ndonjë keqbërje gjatë luftës kroate.
Në Kroaci, 18 persona janë dënuar me burg për vrasjet në Skabrnja dhe Nadin, shumica e tyre në mungesë, pasi shumë prej tyre tani jetojnë në Serbi apo gjetkë.
Në Serbi, askush nuk është dënuar ndonjëherë për përfshirje në krimet e Skabrnjas dhe Nadinit.
“Zhdukini fshatrat”
Harta e zonës përreth Skabrnjas dhe Nadinit. Foto: GJPNJ.
Në nëntor 1991, pjesa më e madhe e vëmendjes së publikut si në Serbi ashtu edhe në Kroaci u përqendrua në Vukovar, një qytet në Kroacinë lindore që kishte qenë për tre muaj nën rrethim nga Ushtria Popullore Jugosllave, derisa ai ra përfundimisht më 18 nëntor.
Dy ditë më vonë, forcat serbe vranë mbi 200 kroatë që ishin marrë nga spitali i Vukovarit, ku kishin kërkuar strehim.
Rreth 500 kilometra larg, vrasjet në Skabrnja ndodhën jashtë vëmendjes mediatike.
Marko Miljanic u emërua si komandant i mbrojtjes së Skabrnjas në fund të shtatorit 1991. Siç shpjegoi ai vitin pasues kur u mor në pyetje nga policia kroate, pati sulme të shumta në fshat dhe vendbanimet përreth deri më 10 tetor 1991, kur u arrit një armëpushim.
Por armëpushimi përfundoi pas një jave, më pas rifilluan sulmet e përditshme. “Gjatë asaj periudhe, ne ishim të ekspozuar shpesh ndaj sulmeve të artilerisë dhe sulmeve ajrore, por nuk kishte sulme të këmbësorisë. Njerëzit ndenjën në fshat gjatë gjithë kohës dhe u strehuan në streha gjatë sulmeve”, tha Miljanic.
Ai dhe vartësit e tij u bënë të vetëdijshëm se tanket dhe artileria ishin të pranishme në zonë disa ditë përpara sulmit përfundimtar në Skabrnja më 18 nëntor, i cili ai tha se filloi në orën 07:25 të mëngjesit.
Sipas dokumenteve ushtarake, forca kryesore e Ushtrisë Popullore Jugosllave e përfshirë në sulm ishte Brigada e 180-të e Motorizuar, e cila ishte pjesë e Korpusit të 9-të të ushtrisë.
Komandanti i Brigadës së 180-të të Motorizuar ishte Tripko Cecoviç, ndërsa komandanti i Korpusit të 9-të ishte Vladimir Vukoviç, i cili vdiq vitin pasues.
Shefi i shtabit të Korpusit të 9-të ishte Ratko Mlladiç. Më 17 nëntor 1991, Mlladiç shkroi në regjistrin e tij ushtarak: “Brigada e 180-të do të lëvizë batalionin e blinduar pak drejt Skabrnjas dhe Nadinit – në mënyrë që fshatrat Smiljcic dhe Gornji Zemunik të zhduken.”
Shënimi i tij tjetër në regjistër, i shkruar në të njëjtën ditë, thoshte: “Të kryet gjatë luftimit: spastrimi si duhet i sektorëve të Nadinit, Skabrnjës (nëse është e nevojshme punë për dy ditë).
Adam Weber, një nga prokurorët në gjyqin e Mlladiçit në Gjykatën e Hagës nga viti 2012 deri në 2017, i tha BIRN në qershor se Mlladiç u zgjodh si shef i Ushtrisë Serbe të Bosnjës kur shpërtheu lufta në Bosnje, sepse lidershipi serb i Bosnjës e pa atë si “djaloshin që sapo kishte kryer disa operacione spastrimi etnik në Kroaci”.
Banori lokal Luka Brkic ishte fshehur në një bodrum kur forcat serbe hynë në Skabrnjë më 18 nëntor. Pasi ushtarët e gjetën atë dhe vendasit e tjerë atje, ata i urdhëruan të dilnin dhe i kërcënuan se do të hidhnin një granatë në bodrum.
Trupat i ndanë burrat dhe gratë nga njëri-tjetri dhe burrat u dërguan drejt qendrës së Skabrnjas, ku ishin pozicionuar tanket e Ushtrisë Popullore Jugosllave. Brkiç dëshmoi se në një moment ai ishte përdorur si mburojë njerëzore kur forcat serbe po shkarkonin municione pranë kishës në fshat.
Të burgosurit meshkuj më vonë u dërguan në qytetin e kontrolluar nga rebelët serbë të Kninit, kryeqyteti i vetëshpallur i Republikës së Krajinës Serbe, dhe u futën në burg, ku ndenjën rreth gjashtë muaj, “periudhë gjatë së cilës më rrahën rëndë dhe kam marrë lëndime të shumta”, tha Brkiç.
Brkiç dëshmoi se Mlladiç e vizitoi burgun në Knin dy herë në këto gjashtë muaj. “Gjenerali Mlladiç foli me rreth 100 të burgosur dhe tha: ‘Kushdo që mendon se do ta ndërtojë Kroacinë mbi eshtrat e babait tim, i cili u vra në Luftën e Dytë Botërore nga trupat ustash kroate, do të përfundojë njësoj si ata në Skabrnjë’”, tha Brkiç në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në vitin 2017 gjatë gjyqit të ish-zyrtarëve të Sigurimit të Shtetit serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç.
“Mlladiç donte t’u thoshte të tjerëve që mbetën në Krajinë se kushdo që nuk respekton ligjet dhe rregulloret e tyre do të përfundonte në të njëjtën mënyrë si ne në Skabrnja”, shtoi Brkiç.
Në qershor të këtij viti, pasi Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm, Miljaniç i tha N1 Kroacisë se Mlladiç “e përsosi zanatin e tij në Skabrnja në 1991”.
“Nuk do të merrni asnjë ndihmë”
Foto të rrënojave të shtëpive në Skabrnja, të përdorura si prova gjatë gjyqit të ish-krerëve të sigurimit të shtetit Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç. Foto: Screenshot: YouTube/IRMCT.
Më 18 nëntor 1991, kur Skabrnja u sulmua rëndë, komandanti i mbrojtjes lokale Miljaniç u përpoq t’u bënte thirrje forcave kroate për ndihmë nëpërmjet radios, por zbuloi se lidhja ishte ndërprerë disa herë.
“Kur kërkova sërish ndihmë rreth orës 15:00, një zë ndërhyri sërish në linjë”, tha ai, duke shpjeguar se të dyja palët mund të ndërhynin në komunikimet radiofonike të njëra-tjetrës.
Ai kujtoi se zëri i tha: “Ustash, more fund! Je tradhtuar, ustash. Nuk do të merrni asnjë ndihmë, ju garanto.”
“Dhe kjo, për fat të keq, ishte e vërteta”, tha Miljaniç.
Ai e identifikoi zërin si Goran Opaciç, një serb i cili ishte anëtar i njësisë speciale në Stacionin e Sigurisë Publike të policisë në Benkovac.
Më 27 nëntor 1991, majori Branislav Ristiq i Brigadës 180 të Motorizuar i dërgoi një raport Korpusit të 9-të për atë që ndodhi në Skabrnjë.
Ristiç shkroi në raport se një burim kishte thënë se Opaciç “na tha të gjithëve në zyrë se kishte vrasje të civilëve, kryesisht grave dhe të moshuarve në Skabrnjë…. Goran Opaciç pretendon se ai kurrë nuk kishte parë një skenë më të tmerrshme gjatë gjithë jetës së tij.”
Opaciç është një nga 18 personat që autoritetet kroate i kanë dënuar për krime në Skabrnja. Por ai këmbëngul se nuk ka qenë as në fshat gjatë sulmit.
“Nuk kam qenë kurrë në Skabrnja. Nuk kam marrë pjesë kurrë në operacionin atje. Duhej të merrja pjesë, por nuk mora”, tha ai në gjyqin e Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç në mars 2012.
Ai shtoi se autoritetet kroate “më dënuan për krime inekzistente që m’i atribuan në Skabrnja”.
Një tjetër person që është dyshuar për përfshirje në vrasjet e Skabrnjës është Zoran Tadiç. Në mars 2019, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në qytetin kroat të Splitit nisi një hetim ndaj Tadiç.
Policia në Kroaci beson se Tadiç ishte kreu i një grupi paraushtarak serb, por ai pretendon se kjo nuk është e vërtetë dhe se ai ishte në të vërtetë një komandant i policisë ushtarake në Benkovac. Simo Rosiç, një anëtar i Brigadës së 180-të të Motorizuar, shkroi në një raport ushtarak në mars 1992 se “Pozicionet e Tadiçit në disa struktura në Benkovac janë shumë të forta dhe se në një farë kuptimi ai është praktikisht i paprekshëm”.
Tadiç aktualisht ndodhet në Serbi dhe ka jetuar i lirë që nga lufta. Kur Administrata e Policisë së Zadarit mbajti një konferencë për shtyp në janar 2019 për të njoftuar se kishte kryer një hetim dhe arriti në përfundimin se Tadiç ishte komandanti i një njësie vullnetare që mori pjesë në vrasjen e 30 civilëve dhe 13 luftëtarëve, ai ishte në Sidnej, Australi.
Tadiç i tha BIRN se fëmijët e tij e informuan për akuzat dhe se ai u kthye në Serbi menjëherë sepse kishte frikë “mos përfundonte si kapiten Dragan”, duke iu referuar bosit paraushtarak serb të kohës së luftës Dragan Vasiljkoviç, i cili u ekstradua nga Australia në Kroaci dhe më pas u dënua për krime lufte.
Tadiç tha se ai nuk është fajtor për asnjë krim. “Policia deklaroi shumë marrëzi dhe përveç emrit dhe datës së lindjes sime, asgjë tjetër nuk është e vërtetë”, këmbënguli ai.
Ai tha se ishte në fshatin Skabrnja gjatë sulmit, por se si shef sigurie dhe komandant i policisë ushtarake, ai ishte atje për të marrë trupat e ushtarëve të vdekur të Ushtrisë Popullore Jugosllave.
“Kur mbërrita, e gjeta situatën ashtu siç ishte. Pra, ishin 17 ushtarë të plagosur të UPJ-së, një oficer i vrarë dhe një ushtar i vrarë. Me policinë ushtarake i nxora ato trupa, i vendosa në një transportues dhe shkova në pozicionin komandues disa kilometra më tutje”, tha ai për BIRN.
Ai tha se hetimet për përfshirjen e tij të supozuar janë pushuar. Por Zyra e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Split tha se hetimi është ende në vazhdim. Ajo tha se Tadiç dha një deklaratë para prokurorëve në Serbi më 9 mars të këtij viti.
“Pasi të përfundojë hetimi në këtë çështje penale, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Split do të marrë një vendim dhe do të informojë publikun për këtë në kohën e duhur”, tha për BIRN Zyra e Prokurorit të Qarkut.
Tridhjetë vjet pas krimeve të kryera në Skabrnja dhe Nadin, përpjekjet për nxjerrjen e autorëve para drejtësisë vazhdojnë./balkaninsight/