Asnjë i dënuar për krimet e komunizmit, familjarët kërkojnë hapjen e dosjeve
Nuk merreshin fare me politike, faji i tyre i vetëm ishte që njihnin karakterin e mbrapshtë të Enver Hoxhës.
Bëhet fjalë për tre shokë, tre viktima të ekzekutuar me porosi të diktatorit Enver Hoxha, në tetor të vitit 1944, Akil Sakiqi, Nazmi Uruci dhe Fahri Dabulla, që sipas familjarit të njërit prej viktimave, e kishin njohur diktatorin ne liceun e Korçës.
Tre miqtë ishin oficerë. Nipi i Akil Sakiqit, Astrit Daci na rrëfen se atë natë tetori xhelatët, së pari hëngrën në një tavolinë me viktimat.
“Në sofrën ku po hanin këta të tre, u ulen edhe vrasësit. I thirren për një pyetje. Shkuan dhe nuk u kthyen më”, tha Astrit Daci.
Kur ndodhi ngjarja, Astriti ishte fare i vogël, por ndonëse atëherë rronte shpresa për të gjetur eshtrat e të afërmve dhe autorët e ekzekutimit, sot i ka humbur, ndonëse jetojmë në demokraci.
Nebil Cika ishte një tjetër viktimë e nëntorit të viti 1944. Nipi i tij që trashëgon të njëjtin emër, tregon çfarë ndodhi atë natë në familjen e tyre.
“Nuk e dinte se këta do ta pushkatonin pavarësisht bindjeve të tij anti-fashiste”, tha Nebil Cika.
Po kush ishte faji i të tjerëve?
“10 prej atyre që janë në listën e pushkatimit kanë shkruar nga një libër për Kosovën dhe atë kohë, Shqipëria komuniste drejtohej nga Jugosllavia”, tha ai.
Akademia e Shkencave, ka marrë përsipër rishkrimin e historisë, ku dritëhijet më të mëdha mbesin tek e kaluara e diktaturës. Mirëpo edhe për këtë fakt, duket se dëshmitarët apo instituti i komunizmit nuk janë thirrur për t’iu ardhur në ndihmë kërkimit të historianeve.
E shkuara komuniste, akoma nuk ka dalë në dritë me dhjetëra dosje të pahapura kurrë. Kjo përkujtimore ndaj viktimave të nëntorit 1944 synon të mos harrojë egërsinë dhe mekanizmat e atij pushteti teksa sot ende nuk kemi asnjë të dënuar për krimet e diktaturës komuniste.
Rruga Press