Liburn Aliu ankohet për shpronësimin: Pronat komunale i morën të fortët
Shpronësimi është problem i madh me të cilin përballen institucionet në Kosovë, ka deklaruar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Në prezantimin e hulumtimit “Reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës në qorrsokak?!” të organizatës joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, Aliu ka përmendur problemin e mungesës së një mekanizmi që vlerëson të gjitha anët e planifikimit hapësinor dhe atë të shpronësimit të pronave. Për këtë ka thënë se pronat janë marrë “nga të fortët”.
Në këtë prezantim u tha se përmirësimi i kornizës ligjore është i domosdoshëm, qoftë me hartim të ligjit të ri, apo me rishikim të atij aktual, pasi që Ligji për Planifikim Hapësinor po vlerësohet të jetë ambicioz në raport me përmbushjen e kërkesave ligjore nga ana e komunave dhe kapaciteteve të tyre. Sipas Aliut, duhet që Instituti i Planifikimit Hapësinor të jetë mekanizëm me integritet ku s’mund të ndërhyjë politika.
“Kush e ka bërë reformën tek ne, a kanë qenë të përfshira institucionet tona në këtë reformë? Jo. Edhe departamenti edhe instituti kanë qenë vetëm vëzhgues në këtë reformë. Kjo lë të nënkuptohet që është e dyshimtë, pasi ka sjellë tek një vendim shumë i madh pa një hulumtim kredibil. Ne kemi gabuar rëndë atëherë. Sot, nuk duhet ta bëjmë atë gabim. Duhet ta bëjmë një hulumtim serioz… Kam qenë kundër këtij ligji. Presioni që ka qenë për këtë ligj ka qenë i papërballueshëm, sidomos për neve të Vetëvendosjes… Problem kryesor e kemi shpronësimin. Ne nuk kemi prona komunale, i kanë marrë të fortit, komandantët, me rëndësi do të fortë të cilët i kanë marrë. Problemi është qysh me e zgjidh këtë”, ka thënë Aliu, raporton KosovaPress.
Ndërkaq deputetja Albena Reshitaj ka thënë se në çështjen e planifikimit hapësinor ka munguar përkushtimi politik.
“Konsideroj që pa një presion shoqëror është i vështirë një përmirësim institucional në vendin tonë. Kemi ngecje. Nuk po tregojmë kulturë institucionale. Kemi disa gjëra që kemi nisur në të kaluarën, dhe ka shumë ngecje. Nuk duhet gjithë fokusi dhe energjia të fokusohet në të kaluarën, por për të ardhmen sepse nëse ne ngecim një ditë në çështjen e planifikimit hapësinor, dëmi mund të jetë ndër vite”, ka thënë ajo.
Gjetjet e hulumtimit i prezantoi Lumnije Gashi e cila tha se ka kontradikta ligjore brenda Ligjit për Planifikim Hapësinor, nuk dihet ku fillon Plani Zhvillimor Komunal dhe Harta Zonale, ka kontradikta ndërmjet LPH me aktet nënligjore, dualizma. Derisa bëri të ditura edhe mangësi të tjera që ka ligji.
“Korniza ligjore ka probleme dhe duhet të shqyrtohet. Ligji për Planifikim Hapësinor ka po ashtu përmbajtje dhe koncept të zotimit të gabuar, burokraci. Mungesa e një instrumenti për trajtim të zonës urbane është një problem tjetër. Mbledhja e të dhënave është pa relevancë hapësinore, në praktikë vetëm 20-30 për qind arrihen të mblidhen”, ka thënë ajo.
Rruga Press