Komani të bëhet Park Arkeologjik, arkeologët kërkesë për menaxhimin e vendbanimit mesjetar
Studiuesit kërkojnë shpalljen park arkeologjik të vendbanimit të Komanit në Pukë, i cilësuar si dëshmia e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Sipas tyre vetëm statusi zonë e mbrojtur nuk mjafton, pasi vendbanimi mesjetar është i pamenaxhuar. Për studiuesit edhe trashëgimia duhet të futet lëndë në shkolla.
Vendbanimi dhe kultura e Komanit, është dëshmi e vazhdimësisë dhe lidhjes mes ilirëve të lashtësisë dhe shqiptarëve të mesjetës, në kohën kur mungojnë të dhënat e tjera.
Arkeologia Etleva Nallbani që në 10 vitet e fundit drejton atje punën për zbulimin e të shkuarës, kërkojnë shpalljen e zonës së mbrojtur Park Arkeologjik
“Të bëhet një Park Arkeologjik për Komanin, gjithë Lugina e Drinit ka trashëgimi mesjetare të jashtëzakonshme. E gjitha duhet të futet në një grup dhe të bëhet një Park me strukturat e veta,” tha Nallbani.
Helidon Sokoli një tjetër arkeolog që ka një dekadë që punon në Koman, thotë se pritshmëritë për zbulime të tjera janë të mëdha.
“Komani po jep vit për vit rezultate dhe besojmë që sërish edhe për disa vite të tjera misioni do japë rezultate të reja në misionin e zgjerimit të territorit, të lagjeve të reja që zbulohen dhe rrethimit të qytetit,” tha Sokoli.
Njerëzit që të jetën ja kanë kushtuar zbulimit të vendeve dhe mënyrës se si jetuan paraardhësit e shqiptarëve thonë se trashëgimia duhet të futet lëndë në shkollë.
“Për mua personalisht trashëgimia duhet të futet lëndë mësimore në shkolla dhe duhet të bashkojmë studiuesit me sistemin arsimor,” tha Nallbani.
3 makete të vendbanimeve të Komanit, Apolonisë dhe Orikumit u prezantuan në mjediset e muzeut historik të Shkodrës, si një risi që aplikohet për herë të parë në vendin tonë.