Parajsat fiskale dhe kundërmasat!
Editorial nga Ardit Cara
Me datë 3 tetor shpërtheu skandali “Pandora Papers”. Të përfshirë në skema pastrimi parash, shmangie taksash, apo fshehje të identitetit rezultuan disa nga politikanët më të fuqishëm botëror. Sipas BIRN, të cilët janë kontaktuar nga Rrjeti Investigativ i Gazetarise, Shqiperia është përfshirë në të dhënat e rrjedhura me të pakten 13 kompani dhe një politikan. Deri me sot, pas bujes fillestare si zakonisht mediat tona e kanë heshtur këtë zbulim.
Deri tani rasti i vetëm i publikuar nga BIRN ka të bëje me kompaninë e regjistruar në Emiratet Arabe, “Al Energy” në pronësi të biznesmenit Vasil Kallupi i cili në media perflitet si i afërt me politikanë të majtë në Shqipëri.
Ajo që është interesante edhe në këtë rast është skema e perdorur, e cila është tipike për kompanite “Offshore” në operacionet e tyre të fshehjes dhe qarkullimit të parave, deri në një moment kur mund te rikthehen në vend si para totalisht legjitime ose të paktën të pa gjurmueshme.
Në librin e tij profesori i Universitetit të Kalifornisë, Gabriel Zucman, përllogarit që deri në vitin 2014, të pakten 7.6 trilion dollar ose 8% e pasurisë globale, administrohen në zonat offshore.
Shtete të ndryshme përdorin kritere të ndryshme për të kategorizuar se cilat shtete mund të përbëjnë parajsat fiskale. Por konsensus të përgjithshëm ka për Ishujt Virgjin, Kayman, Panama, Luksemburg, Monako, Lihtenshtejn, EUA, Zvicer, etj…Kryesisht shtetet ku operojnë kompanite guackë (Shell) ofrojne sistem taksimi me 0 taksa, garantojnë anonimitetin e pronarit përfundimtar të aseteve, në këmbim të një tarife vjetore mirëmbajtje dhe/ose sekretin bankar.
Në studimin “Aktiviteti offshore dhe pastrimi i parave” të botuar nga Parlamenti Europian tregohen mënyrat e përdoruara për pastrimin e parave te përfituara në mënyre të pandershme. Këto mund të jenë para me burim trafikun e narkotikëve, të njerëzve ose para të përfituara nga korrupsioni. Paratë transferohen në parajsa fiskale, ku në pergjithesi qarkullohen nëpër disa shtete që e ruajnë sekretin bankar, dhe nëpërmjet një kompanie të regjistruar në offshore rikthehen sërish në vend ku investohen kryesisht në prona, apo kompani investuese. Problemi më i madh i pastimit të parave është shkatërrimi i ekosistemit ekonomik në një shtet. Për bizneset legjitime është e pamundur të konkurojnë me kompanitë që kapital fillestar kanë para te pista, pasi synimi i këtyre kompanive nuk është fitimi nëpërmjet biznesit, por rritja e qarkullimit nëpërmjet konkurencës së pandershme në mënyrë që të përligjin kapitalin fillestar. Pas përligjies së kapitalit zakonisht investohet në prona luksi, hoteleri, etj.
Në vendin tone rasti më i njohur i përdorimit të kompanive offshore është afera korruptive e Unazës së Re, ku dy tendera me vlerë 28 milion euro i fitoi kompania DH Albania, kompani e regjistruar në QKB si degë e “Dunwell Haberman”, kompani kjo e regjistruar në Delaware, i cili njihet si territor parajsë fiskale brenda ShBA-ve. Pas zbulimit nga media të skandalit që tenderat ishin parapërcaktuar për këtë kompani, dhe që kjo kompani kishte përdorur dokumente të falsifikuara në aplikimin e saj për tender, prokuroria nisi hetimet. Por duke qënë se kompania është e regjistruar në juridiksion offshore, zyrtarisht nuk u zbuluan kurrë pronarët, ose përfituesit përfundimtar të kompanisë.
Me rritjen e numrit të rrjedhjeve të informacionit nga parajsa fiskale siç janë rastet Panama Papers, Paradise Papers, Pandora Papers, etj, po bëhet gjithnjë e më e qartë se biznesmenë, politikanë, dhe ndoshta kriminelë po i perdorin parajsat fiskale për të mbuluar aktivitetet ekonomike kriminale brenda ekonomisë shqiptare. Prandaj vendi ynë duhet të përgatisë kuadrin ligjor për tu përballur me këtë fenomen.
SHBA dhe BE po ndërmarrin hapa për kufizimin e veprimtarisë së kompanive guackë brënda ekonomisë së tyre pasi dëmi që sjellin është më i madh se përfitimi nga investimet që ato bëjnë. Rasti më tipik i luftës kundra kompanive guackë është Gjermania, e cila e kushtëzon investimin brenda territorit të saj me shfaqjen e pronësisë dhe përfituesit përfundimtarë të kompanisë.
Sot si hap i parë Shqiperisë i duhet të krijojë “Ligjin e shfaqjes”, pra të miratojë një ligj që i detyron të gjitha kompanitë, të cilat janë ose dëshirojnë të marrin pjesë në ekonominë publike, të shfaqin publikisht pronësinë dhe përfituesin përfundimtar. Nuk ka asnjë arsye përse duhet të lejohet pjesmarrja në tendera publik e kompanive pronësia e të cilave nuk është e njohur për shtetin tonë. Në çdo rast shkeljeje, mashtrimi, keqpërdorimi, për organet tona ligjzbatuese bëhet i pamundur gjurmimi i përfituesit përfundimtar për shkak se shteti ku kompania nënë është e regjistruar nuk ndan informacione mbi pronësinë e kompanisë me askënd.
Gjithashtu duke qënë se resurset natyrore janë pasuri e përbashkët ashtu dhe shfrytezuesit e këtyre pasurive duhet të jenë të njohur për shtetin tonë. Pra, çdo kompani guackë e cila dëshiron të investojë në sektorë të caktuar të ekonomisë të cilët konsiderohen strategjik, si Telekomunikacioni, Energjetika, Nafta, Minierat pjesmarrja në tendera, ofrimi i shërbimeve dhe konsulencës për institucionet publike etj, në mënyrë që të mund t’i kryejë këto aktivitete do duhet të detyrohet ligjërisht të shfaqë përfituesin përfundimtar.
©Rruga Press