AP: Vende anëtarë nuk ishin dakord që Samiti i NATO-s të mbahej në Tiranë
Disa vende anëtare të NATO-s kanë shprehur rezerva për organizimin në Shqipëri të samitit të liderëve të aleancës, i planifikuar fillimisht për vitin 2027. Sipas një raportimi të agjencisë Associated Press (AP), një nga arsyet e këtyre rezervave lidhet me nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Shqipëria ishte përcaktuar në vitin 2025 si vendi pritës i samitit të vitit 2027, por emri i saj u hoq nga deklarata e samitit të NATO-s të zhvilluar në korrik. Sipas AP-së, ‘disa aleatë mendonin se Shqipëria nuk po shpenzonte mjaftueshëm për mbrojtjen dhe ngurronin ta shpërblenin vendin me organizimin e aktivitetit më të rëndësishëm të aleancës’.
Qeveria shqiptare parashikohet të shpenzojë këtë vit 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Ndërkohë, objektivi i NATO-s është që vendet anëtare të arrijnë deri në vitin 2035 shpenzime prej 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1.5% të tjera për infrastrukturën e lidhur me mbrojtjen.
Një tjetër faktor që ndikoi në procesin e organizimit janë kostot e larta financiare dhe masat e sigurisë që kërkon një samit i tillë. Holanda, për takimin e vitit 2025 në Hagë, u përgatit për rreth një vit dhe investoi afërsisht 100 milionë dollarë.
Sipas zyrtarëve të NATO-s, vendimi për organizimin e samitit në Shqipëri duhej të merrej deri në tetor, në mënyrë që vendi të kishte kohë të mjaftueshme për përgatitjet.
Samiti i këtij viti në Turqi kërkoi një angazhim të madh logjistik dhe sigurie. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vuri në dispozicion kompleksin e tij presidencial në Ankara, ndërsa u rikonstruktua një aeroport ushtarak për mbërritjen e liderëve dhe u angazhuan dhjetëra mijëra punonjës të sigurisë. Pjesë të kryeqytetit u kufizuan, ndërsa punonjësve publikë që nuk ishin të domosdoshëm iu dha një javë pushim.
‘Gjithmonë ka shumë masa sigurie. Është një aktivitet i kushtueshëm organizimi i një takimi me 32 aleatët, vendet partnere dhe partnerët tanë të Indo-Paqësorit, si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re’, tha Rutte për AP-në.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi për AP-në se aleanca është fleksibël në organizimin e samiteve dhe se takimet e liderëve zhvillohen kur ka nevojë.
‘Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. I mbajmë ato kur kemi nevojë’, u shpreh Rutte.
Rruga Press

