KryesoreLajme

Pas glorifikimit të Mlladiqit në Serbi, EPP inicon përjashtimin e partisë së Vuçiqit

Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (EPP) ka miratuar të hënën një deklaratë për Serbinë, pas ngjarjeve që shoqëruan varrimin në Beograd të Ratko Mladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocidin në Srebrenicë.

EPP i ka cilësuar pamjet nga varrimi si “thellësisht shqetësuese”, duke rikujtuar se përgjegjësia penale e Mladiqit për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi është përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare.

“Krimet e tij janë përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe nuk duhet të relativizohen, glorifikohen apo harrohen kurrë”, thuhet në deklaratën e EPP-së.

Lexo më shumë  Artur Shehu, ndërtimet në bregdet me para droge dhe presionet politike: Mediat ndërkombëtare "bombardojnë" SPAK-un me pyetje, mes tyre Wall Street Journal e Daily Mail

Partia Popullore Evropiane ka kritikuar veçanërisht nderimet publike dhe shtetërore gjatë varrimit, pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë dhe shfaqjet publike të mbështetjes.

Sipas EPP-së, në vend të ballafaqimit me këtë trashëgimi të së kaluarës, në Serbi u panë nderime publike e shtetërore në varrim dhe pjesëmarrje e zyrtarëve të lartë të vendit.

EPP vlerëson se veprime të tilla bien ndesh me vlerat e pajtimit, respektit për viktimat dhe llogaridhënies, të cilat, sipas saj, janë në themel të projektit evropian.

Asambleja Politike tha gjithashtu se i bashkohet dënimit të shprehur nga udhëheqja e EPP-së dhe komuniteti ndërkombëtar.

Lexo më shumë  Kurti paralajmëron ndërtimin e pesë digave të reja në Kosovë, zhvillimi rural në fokus

Në deklaratë përmendet në mënyrë të veçantë edhe Partia Progresive Serbe (SNS).

“Në kuadër të procesit të vazhdueshëm të shqyrtimit të SNS-së, këto ngjarje të fundit nuk mund të injorohen”, thuhet në deklaratë.

SNS është anëtare e asociuar e EPP-së që nga viti 2016, ndërsa formulimi i deklaratës tregon se statusi dhe veprimet e saj janë aktualisht pjesë e një procesi shqyrtimi brenda familjes politike evropiane.

YouTube player