Kushtetuesja: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë janë në përputhje me kushtetutën
Gjykata Kushtetuese ka vendosur se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk janë antikushtetues. Gjithashtu, ka konstatuar se afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor.
Kushtetuesja në vendimin e saj ka konstatuar se Kuvendit është konstituuar pas afatit prej 30 ditëve. Por ka thënë se kalimi i 30-ditëshit për konstituim ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, kur posti i presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë.
Tutje, Gjykata ka thënë se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radha e grupit të dytë më të madh parlamentar, pra të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Të konstatojë që vendimi i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kushtetuesja në njoftimin e vendimit ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Kushtetuesja e ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme
Rruga Press

