Britania: Mbështesim fuqishëm Kosovën, jemi krenarë për ndërhyrjen e NATO-s më 1999
Mbretëria e Bashkuar e mbështet fuqishëm shtetin e Kosovës dhe ndihet krenare që me aleatët e NATO-s intervenoi më 1999, ka deklaruar ministri britanik për Evropën, Stewart Wood.
Pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, Wood ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe se mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në mbarë rajonin.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008″, ka deklaruar Wood.
Tutje ka thënë se aktgjykimi i sotëm është moment i rëndësishëm, por duke theksuar se ai nuk është “një gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”.
Wood ka bërë thirrje për qetësi dhe që reagimet të mos nxisin trazira.
“Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensionet ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, liderët politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vendosin sigurinë e njerëzve mbi të gjitha. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerët në mbarë rajonin dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet”, thuhet në reagim.
Rruga Press

