Opinion/Aktualitet

Nga arrestimi i Agasit te klani Balluku – Pse Rama ndërroi Ministrin e Brendshëm

Largimi i Besfort Lamallarit nga Ministria e Brendshme duket si përpjekja e Ramës për të rivendosur kontrollin mbi policinë, pas mungesës së autoritetit të ministrit, arrestimit dhe ekspozimit të Ergys Agasit dhe dobësimit të klanit politik të Belinda Ballukut.

Largimi i Besfort Lamallarit nga Ministria e Brendshme, vetëm pak muaj pas emërimit ka të bëjë me nevojën e Edi Ramës për të rivendosur kontrollin e drejtpërdrejtë mbi policinë, një sektor me të cilin kryqëzohen interesat e krimit, por që ndonjëherë edhe dikton balancat e pushtetit, sidomos në qarqet ku krimi u përdor për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Kryeministri njoftoi të premten largimin e Lamallarit, pa dhënë një arsye konkrete. Ministria e Brendshme iu besua Ervin Demos, deri tani ministër i Pushtetit Vendor, ndërsa dy dikasteret do të bashkohen në një strukturë të vetme.

Rama e përcolli ministrin me vlerësime për punën dhe integritetin e tij, por me shpjegimin se “nevojat e skuadrës janë mbi të gjithë individët”. Lamallari, nga ana tjetër, u largua pa asnjë notë pakënaqësie. E quajti privilegj detyrën dhe falënderoi kryeministrin për besimin: “Jam munduar të mos ju zhgënjej kurrë”, i tha ai Ramës.

Por përtej ceremonisë së përcjelljes, mbetet pyetja se përse Rama e ndërroi ministrin e Brendshëm vetëm pak muaj pasi e kishte vendosur në atë post. Arsyet për largimin e Lamallarit mund të kërkohen te tri zhvillime paralele: mungesa e autoritetit të tij mbi policinë, operacioni që çoi në arrestimin e Ergys Agasit dhe sfumimi gradual peshës politike të Belinda Ballukut.

1. Mungesa e ndikimit në polici

Rreth një vit më parë, kur Lamallari u katapultua në qeveri si ministër i Drejtësisë, Rama ia hapi dyert e kabinetit duke i bërë elozhe. “Funksionar shembullor i shtetit në çdo drejtim, profesionist i përkushtuar, drejtues i mençur sa herë i kërkohet që të shkojë të zgjidhë një punë që të tjerët nuk e zgjidhin”, e quante kryeministri në mbledhjen e asamblesë së PS.

Por ndërsa këto fjalë dëgjoheshin në sfond, kamerat fiksuan një pamje qesharake. Lamallari u shfaq i shokuar nga emërimi dhe liroi kollaren nga sikleti, duke u gëlltitur. Me sa dukej, nuk ia kishte marrë mendja se do të zëvendësonte Ulsi Manjën, i cili u largua nga qeveria sapo bashkëpatrioti i tij nga Dibra, Altin Dumani, la drejtimin e SPAK-ut.

Lexo më shumë  Kur Kurti shpallet më i keq se pushtuesit: Deri ku mund të shkojë Baton Haxhiu?

Katapultimi i mëvonshëm në Ministrinë e Brendshme ishte një barrë edhe më e rëndë për shpatullat e Lamallarit. Kur largoi Albana Koçiun nga ky post, Rama kërkonte një ministër më aktiv, me më shumë autoritet dhe kontroll mbi policinë. Lamallari nuk arriti ta krijonte rolin e fortë që i duhej Ramës, as nuk e kishte peshën e nevojshme tek strukturat e policisë dhe, sidomos, komunikimin e drejtpërdrejtë me drejtuesit në terren.

Pakënaqësia e Ramës doli hapur në mbledhjen e fundit në Pogradec, ku kryeministri e kritikoi duke i thënë: “Ti nuk e ke idenë çfarë ndodh në terren”, duke pasur parasysh pikërisht mungesën e komunikimit me drejtorët e policive. Për një ministër të Brendshëm, ky nuk ishte një qortim i vogël.

2. Arrestimi i Ergys Agasit

Një tjetër moment që duket se shenjoi fatin e Besfort Lamallarit në qeveri ishte operacioni për arrestimin e Ergys Agasit.

Mik i afërt me Ramën dhe pjesë e enturazhit të tij të ngushtë, Agasi u telendis publikisht pas arrestimit. Policët që i vunë prangat fillimisht e fotografuan të tromaksur në furgonin e policisë. Pamjet bënë xhiron e rrjetit brenda pak sekondash. Në vend të “Ergysit të tmerrshëm” që hante e pinte me bandat, u pa një hallexhi me shapka dhe pantallona të shkurtra, që nuk dinte ku po e çonin. Fotot e policëve vazhduan edhe më tej, duke e fotografuar Agasin teksa jepte shpjegimet e fundit në zyrat e policisë, përpara se ta shoqëronin drejt burgut.

A i duhej Ramës degjenerimi i një njeriu që dinte aq shumë për të? Provokimet ndaj Ergys Agasit mund ta degradonin situatën drejt një loje të rrezikshme. Aq më tepër që bëhej fjalë për një “koordinatorin e krimit”, i akuzuar se shërbente si nyje lidhëse mes Ramës dhe bandave në disa prej qyteteve kryesore të vendit.

Me ardhjen e Skënder Hitës në drejtimin e Policisë së Shtetit duket se brenda policisë ishte krijuar një rrymë e re. Larg ndikimit të Ergys Agasit, por edhe larg ndikimit të Ramës. Arrestimi dhe, sidomos, ekspozimi publik i Agasit mund të kenë qenë sinjali se një pjesë e këtij mekanizmi i kishte dalë Ramës nga kontrolli.

Lexo më shumë  Mlladiç nderohet në Beograd, kritika ndaj Ramës: “Avokat i Serbisë në Tiranë”

Nëse kjo është ajo që ka ndodhur, nuk mjaftonte më Lamallari korrekt dhe i bindur. Duhej dikush tjetër, që Rama t’i mësojë lajmet përpara se fotografitë që qarkullojnë në rrjet.

3. Sinjali për klanin “Balluku”

Besfort Lamallari hyri në qeveri si një njeri i besuar i Belinda Ballukut, bashkë me Ermal Nufin dhe Enea Karakaçin. Edhe emërimi në Ministrinë e Brendshme erdhi në një moment politik domethënës: Rama po firmoste largimin e Ballukut nga qeveria pas vendimit të Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Për t’i treguar Ballukut se marrëdhënia mes tyre ishte njësoj si më parë, Rama i la asaj një pjesë të territorit politik që ajo kishte krijuar ndër vite. Në këtë logjikë mund të lexohej edhe emërimi i Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit.

Por që prej fillimit të vitit, situata për ish-zëvendëskryeministren është përkeqësuar ndjeshëm. Prokurorët e SPAK-ut kanë zbuluar disa vila të saj në jug të vendit, të cilat dyshohet se janë përfituar si shpërblim për tenderat e rrugëve dhe të Albcontrol. Ballukut i janë shtuar akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Largimi i Lamallarit duket si një hap pas i Ramës. Një lëvizje për t’ia ngushtuar territorin politik ish-zëvendëskryeministres, por duke vepruar, si zakonisht në raste të tilla, me kujdesin që kërkon çmontimi i një ekuilibri të vjetër pa krijuar një konflikt të ri.

Këtë hipotezë e ushqen edhe zgjedhja e pasardhësit. Në krye të Ministrisë së Brendshme Rama vendosi Ervin Demon, një prurje politike nga Berati, nga i njëjti qark prej nga vjen edhe drejtuesi i ri i SPAK-ut, Klodian Braho. Mund të jetë rastësi. Por kur bëhet fjalë për Ministrinë e Brendshme, policinë dhe SPAK-un, rastësitë duhen mbajtur shënim./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player