KryesoreLajme

Shqipëria humb 4% të nxënësve të fillores në një vit, rënia shumë më e fortë se në BE

Në Shqipëri, numri i nxënësve në arsimin fillor vijoi të bjerë edhe në vitin 2024. Nga 146 962 nxënës të regjistruar në vitin 2023, numri zbriti në 141 089, ose 5 873 nxënës më pak brenda një viti. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 4%, dukshëm më të fortë se ajo e regjistruar në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Në vitin 2024, në arsimin fillor në BE ishin të regjistruar 23.2 milionë nxënës, vetëm 0.2% më pak se një vit më parë, ose një rënie prej 35 153 nxënësish.

Në Shqipëri, rënia ka prekur kryesisht arsimin publik. Numri i nxënësve në institucionet publike ra nga 130 067 në vitin 2023 në 123 491 në vitin 2024, ose me 6 576 nxënës, një tkurrje prej rreth 5.1%.

Në të kundërt, arsimi privat ndoqi prirjen e kundërt. Numri i nxënësve në institucionet private u rrit nga 16 895 në 17 598, ose me 703 nxënës, që përfaqëson një rritje prej rreth 4.2%.

Mësuesia, profesion i dominuar nga gratë

Në Shqipëri, 87.6% e mësuesve të arsimit fillor janë gra, ndërsa vetëm 12.4% janë burra, duke dëshmuar një dominim të theksuar të grave në këtë profesion.

Europa

Në një këndvështrim më afatgjatë, situata në Bashkimin Europian paraqitet ndryshe. Krahasuar me vitin 2014, numri i nxënësve në arsimin fillor u rrit me 2.9%, ose me 659 086 nxënës.

Lexo më shumë  Sheshi “Nënë Tereza“ vetëm për këmbësorë, nga parkimi te muzeu, projekti 21 mln euro i FSHZH

Franca regjistroi numrin më të madh të nxënësve në arsimin fillor në vitin 2024, me 4.1 milionë, e ndjekur nga Gjermania me 3.3 milionë, Spanja me 2.8 milionë dhe Italia me 2.6 milionë.

Në të kundërt, shifrat më të ulëta u regjistruan në Maltë, me 27 537 nxënës, Luksemburg, me 43 020, dhe Qipro, me 60 596.

Numri i nxënësve në arsimin fillor lidhet me madhësinë e popullsisë, strukturën demografike, si edhe me dallimet mes vendeve sa i përket moshës së zakonshme të fillimit të arsimit fillor dhe moshës në të cilën fëmijët duhet të nisin arsimin formal të detyrueshëm.

Krahasuar me vitin 2014, numri i nxënësve në arsimin fillor u rrit në 15 vende të BE-së dhe u ul në 11 vendet e tjera për të cilat kishte të dhëna të disponueshme.

Rritjet më të mëdha relative u regjistruan në Luksemburg (+21.4%) dhe Slloveni (+18.2%), ndërsa rëniet më të forta u shënuan në Poloni (-25.7%), Kroaci (-10.3%) dhe Portugali (-10.0%).

Raporti nxënës-mësues ka rënë që nga viti 2014

Në vitin 2024, në Bashkimin Europian kishte mesatarisht 13.3 nxënës të arsimit fillor për çdo mësues. Raporti nxënës-mësues jep informacion mbi burimet njerëzore në dispozicion të sistemit arsimor dhe mund të përdoret si një tregues i tërthortë për vlerësimin e kushteve të mësimdhënies.

Lexo më shumë  Haxhiu: Kushtetuta e Kaçanikut dëshmon vullnetin e Kosovës për Republikë

Në vitin 2024, Greqia dhe Luksemburgu regjistruan raportet më të ulëta nxënës-mësues në arsimin fillor, përkatësisht me 7.4 dhe 8.2 nxënës për mësues. Këto ishin të vetmet vende të BE-së me një raport nën 10 nxënës për mësues.

Në skajin tjetër, raportin më të lartë e kishte Rumania, me 18.2 nxënës për mësues, e ndjekur nga Çekia dhe Franca, me nga 17.9, Holanda me 16.3 dhe Gjermania me 15.2 nxënës për mësues.

Krahasuar me vitin 2014, raporti nxënës-mësues në nivelin e BE-së ra nga 14.2 në 13.3 në vitin 2024. E njëjta prirje u regjistrua në 23 vende të BE-së.

Rëniet më të mëdha u shënuan në Bullgari, ku raporti zbriti nga 17.8 në 10.4 nxënës për mësues, dhe në Slloveni, nga 15.9 në 10.8.

Në Austri, raporti mbeti i pandryshuar në 12.0 nxënës për mësues gjatë periudhës 2014–2024. Ndërkohë, në disa vende të tjera raporti u rrit, me ndryshimin më të dukshëm në Lituani, ku ai kaloi nga 10.2 në 13.7 nxënës për mësues./Monitor

Rruga Press

YouTube player