Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës mbi Ibër
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.
“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë.
Ai tha se pasditen e së shtunës do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, teksa e cilësoi si “absurde” që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur.
“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.
Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.
Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.
Megjithatë, së voni KFOR-i ka njoftuar për nisjen e tërheqjes graduale nga ura, pas përmirësimit të situatës së sigurisë, gjë që ka zemëruar Serbinë.
Rruga Press

