Elshani: Situata e sigurisë në veri e qetë dhe stabile, por vazhdon të jetë delikate për shkak të veprimeve të mundshme politike
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë dhe stabile, por vazhdon të jetë delikate, kryesisht për shkak të veprimeve apo vendimeve të mundshme politike.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës është e pranishme në të gjithë veriun e vendit dhe se nuk ka ndonjë problem të theksuar sa i përket sigurisë.
“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, është stabile dhe vazhdon të jetë delikate. Kur them delikate, është më shumë për shkak të veprimeve të mundshme apo vendimeve të mundshme politike.
Sepse përndryshe Policia e Kosovës është në krejt veriun e vendit dhe nuk ka ndonjë problem për me theksuar. Ajo çka duhet me thënë është që në rast se do të ndodhë ndonjë incident, Policia i ka kapacitetet e veta për me u marrë me atë problem”, ka thënë Elshani.
Sipas tij, aktualisht Policia e Kosovës ka staf të mjaftueshëm për të menaxhuar situatën në veri.
Elshani ka theksuar edhe rritjen e numrit të pjesëtarëve të komunitetit serb në Policinë e Kosovës.
“Ne jemi, qëndrojmë shumë mirë me staf policor, me personel. Kemi pasur një mungesë, një mangësi shumë të madhe të personelit policor të përkatësisë etnike serbe, të kosovarëve të përkatësisë etnike serbe. Tash i kemi 151 policë të cilët janë të përkatësisë etnike serbe. Rreth 450 policë në total mjaftojnë për rajonin e veriut sepse nuk ka shumë krim atje, më shumë ka të bëjë me politikë sesa me krim. Por Policia është duke menaxhuar komplet situatën në veri dhe ne jemi të gatshëm me reaguar në rast se diçka ndodh”, është shprehur ai.
I pyetur për dritën e gjelbër që Bashkimi Evropian i dha hapjes së urës së Ibrit, Elshani tha se urat lidhin njerëzit dhe nuk i ndajnë.
“Ne i kemi disa ura të tjera derisa vjen kjo ura kryesore këtu dhe nuk ka absolutisht kurrfarë problemi për kalimin e njerëzve edhe të mallrave edhe të veturave. Urat lidhin njerëzit, nuk ndajnë. Unë nuk dua me thënë diçka për urën specifike, për urën kryesore, por kurrfarë rreziku nuk ka në veri të vendit sepse Policia është aty në secilin vend edhe ne kemi shumë reagime që i bëjmë edhe ndaj njerëzve të cilët janë shtetas kosovarë të përkatësisë etnike shqiptare ose serbe apo të tjerë. Kështu që ne e kryejmë punën tonë, e ruajmë rendin dhe qetësinë publike. Më shumë ka retorikë politike sa i përket kësaj pune sesa ajo çka ka të bëjë me siguri, me çështje të sigurisë”, ka deklaruar Elshani, për Ekonomia Online.
Ai ka folur edhe për kërcënimet ndaj Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se pjesëtarët e Policisë janë mësuar me situata të tilla gjatë viteve të fundit.
“Ne jemi që katër vjet aty, jemi mësuar me ato kërcënime: ‘ju vrasim sot, ju vrasim nesër’. Hala s’na kanë vrarë. Kurdoherë që vjen puna aty, merresh me atë lloj situate. Policia e ka punën e vet, e kryejmë punën tonë edhe nuk ka nevojë me u brengosë as qytetarët, sepse në rast se ka nevojë me reaguar, ne jemi aty”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Rruga Press

