Bota

SHBA-ja planifikon të ndalojë importin e transmetuesve optikë kinezë për AI

Administrata e Trump po harton një ndalim për importet në SHBA të modeleve të reja të komponentëve të transmetuesve optikë kinezë për qendrat e të dhënave, thanë për Reuters katër persona të njohur me çështjen. Qëllimi është mbrojtja e infrastrukturës që mbështet zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale (AI).

Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC), i cili mbikëqyr industrinë amerikane të telekomunikacionit, po punon për një masë që do të ndalojë importin e transmetuesve optikë (optical transceivers) të rinj kinezë. Këta pajisje mundësojnë që të dhënat të transmetohen përmes kabllove me fibër optike me shpejtësinë e dritës brenda qendrave të të dhënave. Zyrtarët shpresojnë ta publikojnë këtë masë brenda këtij viti, kohë kur edhe do të hyjë në fuqi.

Lexo më shumë  Agjencitë evropiane të inteligjencës paralajmërojnë: Rusia do të sulmojë NATO-n brenda pak muajsh

Ky veprim, i cili nuk ishte raportuar më parë, synon të parandalojë kompanitë kineze nga vjedhja e të dhënave, instalimi i programeve keqdashëse (malware) ose ndërprerja e shërbimeve në qendrat amerikane të të dhënave, ku ndodhen çipat që përdoren për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

Burimet theksuan se FCC-ja mund ta ndryshojë ose edhe ta tërheqë këtë kufizim, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Megjithatë, kjo është shembulli më i fundit i përpjekjeve të administratës Trump për të kufizuar depërtimin e teknologjisë kineze në industritë amerikane të teknologjisë së avancuar, përpara se ajo të bëhet pjesë e zinxhirit të furnizimit.

Lexo më shumë  Merz: Qëndroj në detyrë pavarësisht fitores së AfD në Meklenburg-Pomerania

“Transmetuesit optikë paraqesin padyshim rrezik,” tha Divyansh Kaushik, ekspert i politikave për inteligjencën artificiale në kompaninë këshilluese Beacon Global Strategies me seli në Uashington. “Ndërsa ndërtimi i qendrave të të dhënave po zgjerohet me ritme të shpejta, është e rëndësishme të sigurohet që zinxhiri i furnizimit për këto qendra të jetë i mbrojtur që në fillim,” shtoi ai.

Rruga Press

YouTube player