KryesoreLajme

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Ekonomia e Shqipërisë po humbet miliarda nga nënfinancimi i shëndetësisë

Mijëra shqiptarë janë duke humbur jetën në mënyrë të parakoheshme për shkak të shpenzimeve të ulëta që qeveria bën për shëndetësinë. Ky është përfundimi i një raporti të hartuar nga ekspertë të huaj për llogari të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Por drama e vdekjeve të parakohshme është vetëm gjysma e faturës fatale që Shqipëria është duke paguar për shkak të nënfinancimit kokëfortë të shëndetësisë. Gjysma tjetër vjen nga humbjet e mëdha ekonomike, të cilat shfaqen në formën e prodhimit të munguar për shkak se barra e sëmundjeve përkeqëson shëndetin e fuqisë punëtore, ul produktivitetin si dhe frenon inovacionin.

Vitin e kaluar qeveria shqiptare shpenzoi përmes buxhetit publik të shëndetësisë mesatarisht 330 euro për banor. Kjo shifër është 5 herë më e ulët se sa vendet e ngjashme të rajonit dhe 10 herë më pak se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Shpenzimet publike shendetesore per fryme

Hendeku është i jashtëzakonshëm. Por ashtu janë edhe përfitimet nga mbyllja e tij.

Lexo më shumë  KLSH: Ujësjellësit po mbulojnë dështimet e tyre duke rritur çmimin e ujit për qytetarët në Shqipëri

Sipas raportit, nëse qeveria e Shqipërisë do të rriste fondet publike për rimbursimin e ilaçeve, aksesin në terapitë inivative si dhe programet e ekzaminimit dhe detektimit në kohë të sëmundjeve kryesore, në nivele të ngjashme me vendet e rajonit, atëherë ekonomia do të gjeneronte mbi 560 milionë euro prodhim shtesë në vit.

Eksperët hartues i sugjerojnë qeverisë, që të nisë një program gradual për të rritur fondet publike të shëndetësisë në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, nga 2.9 për qind që është niveli aktual.

Buxheti pulik i shendetesise ndaj PBB

Kjo do të kërkonte 457 milionë euro shtesë financime publike për shëndetësinë, nga të cilat 287 milionë euro për rritjen e rimbursimeve, terapitë bashkëkohore dhe programet e parandalimit, ndërsa pjesa tjetër për shërbimin parësor, mbështetjen e bluzave të bardha, mirëmbajtjen dhe investimet dixhitale.

Lexo më shumë  Stradner: Serbia nxit tensione me Kosovën, OSBE të mos mblidhet në Serbi

Por kjo nuk është një kosto buxhetore, por investim. Sipas raportit, këto para do të kthehen shumëfish përmes efektit pozitiv në zgjerimin e rritjes ekonomike.

OBSH thekson se vendet që kanë shpenzimet publike për shëndetësinë poshtë nivelit 3 për qind të Prodhimit Kombëtar janë ato, të cilat përfitojnë dhe dividentin më të madh nga rritja e financimeve të këtij sektori. Por ndërsa ekspertët bëjnë thirrje për të rritur fondet pasi kostot e mosveprimit janë shumë të mëdha, qeveria shqiptare duket se ecën në krahun e kundërt.

Pjese nga raporti

Shpenzimet publike për shëndetësinë pritet të ulen në raport me Prodhimin Kombëtar sipas parashikimeve në programin buxhetor afatmesëm. Kjo është një politikë vetshkatërruese, ndërkohë që paratë e buxhetit devijohen në projekte korruptive me impakt të dyshimtë ekonomik. Kapitali.al

YouTube player