KryesoreLajme

“Kemi një urgjencë”, si u përdor neni i Kushtetutës për t’i dhënë 4 milionë euro Kanye West

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në Nenin 101 të saj, e ka prerë qartë: Këshilli i Ministrave mund të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit vetëm në rast “nevoje dhe urgjence”. Historikisht, ky nen është konceptuar për t’u bërë ballë fatkeqësive natyrore, krizave të jashtëzakonshme ekonomike apo situatave ku siguria kombëtare dhe jeta e qytetarëve kërcënohet në mënyrë të menjëhershme.

Por, sipas Aktit Normativ Nr. 3, të datës 6 korrik 2026, “urgjenca” e fundit kombëtare që ka tronditur themelet e shtetit tonë paska një emër: Kanye West.

Me firmën e Kryeministrit, qeveria ka vendosur të kalojë plot 400,000,000 lekë (rreth 4 milionë euro) nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për të financuar pjesërisht organizimin e koncertit të reperit amerikan më 11 korrik. Ky përdorim i dhunshëm i Nenit 101 ekspozon një absurditet të thellë juridik dhe logjik, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për dëmtimin e procedurave ligjore.

Lexo më shumë  “Isha në mesin e protestuesve”/ Analiza e Kim Mehmetit: Mbrëmë u binda se Rama ka rënë

Ku qëndron urgjenca e një koncerti?

Një koncert i një artisti ndërkombëtar, sado i famshëm qoftë ai, është një aktivitet thjesht tregtar dhe kulturor i planifikuar javë apo muaj përpara. Ai nuk përbën asnjë emergjencë publike, asnjë krizë të paparashikueshme dhe asnjë nevojë kritike që nuk priste dot procedurën normale parlamentare për rishikimin e buxhetit. Të trajtosh ardhjen e një reperi me të njëjtën procedurë të jashtëzakonshme që përdoret për tërmetet apo pandemitë është një fyerje për inteligjencën publike dhe një shkelje flagrante e frymës së Kushtetutës.

Fondi Rezervë nuk është portofol personal

Fondi rezervë i shtetit ekziston pikërisht për të mbuluar shpenzime që nuk mund të parashikoheshin gjatë hartimit të buxhetit vjetor – si përmbytjet, krizat shëndetësore apo nevojat emergjente sociale. Kur ky fond zbrazet me urgjencë brenda natës për të paguar skenën apo tekat e një VIP-i, qeveria tregon se prioritetet e saj janë krejtësisht jashtë realitetit të vendit.

Lexo më shumë  Kroacia do të rrisë numrin e ushtarëve në Kosovë në misionin e NATO-s

Kjo shpërndarje “urgjente” e parave publike për projekte private tregon se si instrumentet më serioze ligjore të shtetit mund të kthehen në mjete marketingu dhe propagande me një të rënë të lapsit. Kur dëshira për të bërë “shoë” merr statusin e urgjencës kombëtare, ligji dhe Kushtetuta thjesht kthehen në spektatorë të rreshtit të parë.

YouTube player