Si homazh për Sahit Jasharin, luftëtarin e lirisë krah Adem Jasharit
Nga Durim Abdullahu
I lindur më 9 shkurt 1965, Sahit Jashari ishte kushëri me Ademin, figurën më ikonike të luftës çlirimtare në Kosovë. Të dy ata, Sahiti dhe Ademi, ishin mes vullnetarëve që u stërvitën fshehurazi nga armata shqiptare në Shqipëri, gjatë nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1991.
Tre javë pas kthimit të tyre në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, kur policia jugosllave zhvilloi një aksion për arrestimin e tyre, Sahiti ishte i pari që qëlloi në drejtim të policisë, duke e hapur kapitullin e historisë së rezistencës së armatosur që tetë vite më vonë kulmoi me çlirimin e Kosovës.
Sahit Jashari ishte ndër luftëtarët që e themeluan dhe e ngritën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Që nga viti 1992 e deri në fillim të vitit 1998, ai mori pjesë në shumë aksione guerile ndaj forcave policore serbe dhe u plagos disa herë.
Në një proces gjyqësor kundër 15 pjesëtarëve të UÇK-së, që u zhvillua në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nga 3 qershori deri më 11 korrik 1997, Sahit Jashari u dënua në mungesë me 20 vite burg. Por ai mbeti i pakapshëm për autoritetet serbe, shërbimet e fshehta mes të cilave kishin një dosje të hapur për të që nga viti 1991.
Gjatë rezistencës së 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, Sahiti nuk kishte qëlluar aty meqë ishte duke u shëruar nga plagët. Ky ishte pengu i jetës së tij, që fati nuk i kishte rezervuar një vend mes të luftëtarëve dhe të rënëve të atyre ditëve. Një merak që rrinte në sfond të krenarisë së tij për prindërit, Salë dhe Hamit Jasharin të cilët rezistuan heroikisht më 6 mars 1998 duke rënë me gjithsej 13 anëtarë të tjerë të familjes dhe dy mysafirë.
Gjatë luftës në Kosovë, Sahit Jashari ishte Shef i Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Drenicës, duke u angazhuar deri në ditën e çlirimit.
Gjatë punës sime kërkimore dhe studimore për historinë e familjes Jashari dhe Prekazin për nevojat e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Sahit Jashari ishte për mua një nga burimet kyçe të informacionit. Në odën e tij, duke pirë kafe turke, e kam dëgjuar me plot kurreshtje dhe duke mbajtur shënime rrëfimet e tij për vitet ’90, për Adem Jasharin, për Ilaz Kodrën e shokët e tij të jetës dhe armëve.
Dëshirës sime që bisedën ta shoqërojmë me një fotografi për kujtim, ai iu bashkua me idenë që ta bënim jashtë odës, pranë busteve të Sala dhe Hamit Jasharit. Data ishte 5 prill 2025. Sahit Jashari do të përmendet në historinë e Kosovës, si një ndër më të shquarit luftëtarë të grupeve fillestare të luftës për çlirimin e Kosovës. U kujtoftë mes shokëve të tij!
Rruga Press

