Lajme

Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe në Prekaz, vlerësojnë lart sakrificën e Jasharëve

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz më rastin e 27-vjetorit të Ditës së çlirimit. 

Në një deklarim për media Haxhiu ka theksuar rëndësinë historike të sakrificës së familjes Jashari dhe të luftës për liri.

“Nuk ka 12 Qershor pa marsin e vitit 1998, nuk ka 12 qershor pa qëndresën e komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe të mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari, të cilët ranë dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, ata mbrojtën tokën, tokën e të parëve tanë që ishte, është dhe do të jetë përherë e shqiptarëve. Ata mbrojtën idenë që populli ynë nuk mposhtet asnjëherë. Sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika jonë e lirë”, ka deklaruar Haxhiu.

Lexo më shumë  Dokumentet e quajtura “Sazan” zbulojnë “masterplanin e fshehtë” të Zvërnecit

Ndërsa Kurti ka thënë se Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri, duke vlerësuar se epopeja e familjes Jashari është themel i historisë moderne të Kosovës dhe i idealit për liri e shtetësi.

“Meqenëse më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, tre brezat e Jasharëve qëndruan, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e popullit tonë, për bashkim, për shtet dhe për pavarësi. Beteja epike e Jasharëve, e Bacës Shaban me dy djemtë e tij, Hamzën e Ademin, me gratë e tyre, Zahiden e Zarifen, Feriden e Adilen dhe me të gjithë të tjerët, të cilët nuk u nënshtruan për asnjë moment, është sot në thelb të historisë së popullit tonë, dhe atë jo vetëm si Kosovë e si republikë demokratike, por njëkohësisht edhe si komb shqiptar, në kuptimin e shqiptarëve kudo që ata janë, dhe në kuptimin e shtrirjes përtej së tashmes, pra nga e kaluara e lashtë e deri në të ardhmen kur, siç thotë edhe himni kombëtar shqiptar, ne do të rrojmë”, ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  The Guardian pasqyron detin me protestues që i kërkojnë dorëheqjen Ramës

Haxhiu e Kurti kanë bërë homazhe edhe te përmendorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Rruga Press

YouTube player