Nëse popullsia vazhdon të shtohet me këtë ritëm, sikur të mos ndërtohet më asnjë metër sipërfaqe e re në Tiranë, vetëm për banesat që janë bosh do të duhen 32 vjet për t’u mbushur
Shkruan Ola Xama
Në vitin 2023 numri i banesave në Tiranë që kishin një kontratë me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike OSHEE dhe konsumonin 0 energji ishte 51.129.
Në vitin 2025 ky numër është 58.623, duke u shtuar me 7.494.
Po të shohim të dhënat e ritmit të rritjes së popullsisë në qarkun Tiranë, gjatë vitit 2025, numri i banorëve është rritur me 5478, ose 0.7%. Nëse këtë numër e pjestojmë me 3, sa është madhësia e njësive familjare të Tiranës, atëherë numri i familjeve që kanë ardhur për të jetuar në kryeqytet është 1826.
Nëse popullsia vazhdon të shtohet me këtë ritëm, sikur të mos ndërtohet më asnjë metër sipërfaqe e re në Tiranë, vetëm për banesat që janë bosh do të duhen 32 vjet për t’u mbushur.
Realiteti në fakt është ndryshe, se vetëm në muajin shtator Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi leje për 12 kulla në kryeqytet.
Këto të dhëna tregojnë një paradoks të madh që po ndodh në ekonominë tonë: qytetarët po largohen (në rang vendi janë 27.384 banorë më pak në fund të 2025), stoku i banesave bosh rritet, por ndërtuesit kërkojnë të shtojnë sipërfaqet.
Paradoksi mund të shpjegohet vetëm nga një dukuri: paratë informale të krimit dhe korrupsionit të cilat po orientohen në sektorë pa produktivitet të lartë dhe po asfiskojnë ekonominë.
Shenjat e para kanë nisur të ndihen te mbiçmimi i monedhës vendase ndaj valutave të huaja dhe dobësimi i sektorit prodhues.
Kemi dëgjuar së fundi nga qeveria dhe banka qëndrore se shkak për dobësimin e euros është forcimi i ekonomisë vendase dhe të ardhurat e larta nga turizimi.
E zemë se është kështu. Atëherë si mund të shpjegohet ekonomia jonë e fortë dhe në rritje kur konsumi i energjisë për bizneset në 2025-n është më i ulët se në vitin 2024? Në cilin model zhvillimi ekonomik ndodh kjo?
E vërteta është që sektori i industrisë që duhet të kishte peshën më të lartë në ekonomi po dobësohet, ndërsa ne po kthehemi në një vend që po mbështetet te tregtia, ndërtimi dhe shërbimet -sektorë me produktvitet të ulët.
Të bësh sikur nuk po sheh këtë realitet, do të thotë të zgjatësh dhe me disa muaj propagandën që të mbash pushtetin, por një ditë të gjithë do të përballemi me pasojat, të cilat kanë nisur të ndihen.
Rruga Press

