Opinion/Aktualitet

Kur opozita bëhet rrezik për Republikën

Nga Sadri Ramabaja

Nëse dikur Dumas-i i dhuroi letërsisë botërore tre muskëtierët, politika shqiptare, e
veçanërisht ajo e Kosovës, po na ofron një version krejt tjetër të kësaj historie. Kësaj
radhe, në rolin e muskëtierëve shfaqen Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku në njërën
anë, ndërsa Përparim Rama në anën tjetër, të bashkuar rreth një projekti të përbashkët
politik që po merr formë gjithnjë e më qartë në prag të përballjeve të reja elektorale.
Përparim Rama, në përputhje me logjikën e interesave të tij të ngushta politike, nuk heziton t’u
imponojë qytetarëve barrë të re financiare për hyrjen në kryeqytet. Ndërkohë, njëri nga kryetarët nën
hije të PDK-së, në vend se t’ju lëshojë rrugën të rinjëve me ide dhe alternativa qeverisëse, përmes
“proxive” të tij, zgjedh të alarmojë opinionin publik me paralajmërime për “luftë civile” në rast të një
fitoreje të re të Albin Kurtit.
Kur këtyre u shtohet edhe pozicionimi politik i Presidentes, krijohet përshtypja e një blloku që më shumë
bashkohet nga kundërshtimi ndaj një personi dhe një force politike sesa nga ndonjë vizion i përbashkët
për të ardhmen e shtetit.
Dhe pikërisht këtu metafora e muskëtierëve merr kuptimin e saj ironik. Sepse motoja që duket se i
bashkon nuk është ajo e Dumas-it, “Një për të gjithë, të gjithë për një”, por një tjetër, shumë më
tokësore dhe më e lexueshme në realitetin tonë politik: “Të gjithë kundër njërit!”
Pyetja që mbetet është nëse ky bashkim do të mjaftojë për të bindur qytetarin se kemi të bëjmë me një
alternativë serioze qeverisëse, apo thjesht me një front të përkohshëm, të ndërtuar mbi kundërshtimin
ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Bashkëqeverisja e aspiruar PDK–LDK nuk po duket më si një hipotezë politike. Ajo po merr formën e një
projekti të artikuluar gjithnjë e më qartë në skenën publike. Pas lëvizjeve të muajve të fundit dhe
sinjaleve të përsëritura që po artikulohen edhe në media, krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një
projekt politik të sponsorizuar nga tre musketierët e politikës shqiptare të lloit të vet.
Që ky projekt të materializohet, nevojitet vetëm një kusht: që qytetari ta rikthejë Lëvizjen Vetëvendosje
në rezultatin e shkurtit 2025, ose mundësisht edhe më poshtë. Gjithçka tjetër duket se është duke u
përgatitur paraprakisht.
Marshimi i Përparim Ramës krah Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut në tubimet e fundit në Prishtinë
nuk ishte një episod i zakonshëm elektoral. Ai ishte një mesazh politik. Fotografitë e publikuara dhe
simbolika e krijuar në terren nuk lanë shumë vend për interpretime alternative. Ato sugjeruan se kemi të
bëjmë me një rreshtim të ri politik, që synon të prodhojë një konfigurim të ri pushteti pas zgjedhjeve.

Lexo më shumë  Telat me gjemba të Zvërnecit/ Pikat ku manipuloi Edi Rama

Në thelb, bëhet fjalë për një formulë të njohur: PDK–LDK si bërthamë qeverisëse, me mbështetjen e
Listës Serbe si faktor vendimtar për sigurimin e shumicës. Pikërisht kjo ishte skema që nuk arriti të
kurorëzohej pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025. Sot duket se po ringjallet me aktorë të njëjtë dhe me
ambicie të pandryshuara.
Problemi nuk qëndron te e drejta legjitime e partive për të kërkuar pushtetin. Në demokraci kjo është
normale. Problemi fillon kur krijohet përshtypja se projekti për pushtet po ndërtohet jo mbi një vizion
alternativ për shtetin, por mbi kalkulime aritmetike dhe aleanca të imponuara nga interesa që shkojnë
përtej vullnetit qytetar.
Pikërisht këtu analogjia historike bëhet e pashmangshme. Natyrisht, askush nuk mund dhe nuk duhet të
barazojë Kosovën e sotme me Shqipërinë e vitit 1924. Historia nuk përsëritet mekanikisht. Por historia
shpesh prodhon jehona. Dhe një nga ato jehona na kthen te dhjetori i vitit 1924, kur Ahmet Zogu u
rikthye në pushtet me mbështetjen e Beogradit dhe me ndihmën e formacioneve bjellogardiste dhe
mercenarëve tjerë të të gjitha ngjyrave të mundshme, madje nuk munguan atëbotë edhe mercenarë
nga Kosova!
Ngjashmëria nuk qëndron te rrethanat, por te logjika politike. Sa herë që pushteti synohet përmes
mbështetjes së faktorëve të jashtëm dhe jo përmes legjitimitetit të pakontestueshëm qytetar, lindin
pyetje të mëdha për natyrën e projektit politik që po ndërtohet.
Prandaj debati i sotëm nuk është thjesht se kush do ta qeverisë Kosovën nesër. Debati i vërtetë është se
mbi çfarë baze do të ndërtohet ajo qeverisje: mbi vullnetin e qytetarëve apo mbi koalicione të
projektuara në tavolina politike ku interesi kombëtar zë vend gjithnjë e më të vogël ose de fakto shërben
vetëm si makiazh politik.
Në fund, vendimin nuk do ta marrin as sponsorët e skenarëve, as arkitektët e koalicioneve dhe as
prodhuesit e fotografive elektorale. Fjalën e fundit do ta ketë qytetari.
Dhe pikërisht aty do të shihet nëse kemi të bëjmë me një alternativë të re qeverisëse apo thjesht me një
përpjekje për të rikthyer në pushtet formula të konsumuara, të mbështjella me ambalazh të ri politik.
Opozita nuk është rrezik për demokracinë. Përkundrazi, një opozitë e fortë, e përgjegjshme dhe
vizionare është kusht i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë dhe rrjedhimisht edhe
Republikës. Rreziku lind atëherë kur opozita heq dorë nga gara e ideve dhe e programeve, duke e
zëvendësuar atë me politikën e bllokimit, të frikës dhe të delegjitimimit të kundërshtarit.
Pikërisht këtu qëndron problemi me një pjesë të opozitës kosovare sot. Në vend që të ndërtojë një
alternativë bindëse për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit dhe avancimin e interesave kombëtare,
ajo duket se bashkohet kryesisht rreth një objektivi: largimit të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje
nga pushteti.
Kur kundërshtimi ndaj një individi bëhet program politik, atëherë mungesa e vizionit
maskohet me retorikë alarmiste. Prandaj nuk është rastësi që në diskursin publik dëgjohen
paralajmërime për “luftë civile”, skenarë katastrofikë dhe përpjekje për të krijuar ndjenjën e
një krize permanente. Një opozitë që investon më shumë në prodhimin e frikës sesa në
prodhimin e alternativave nuk i shërben forcimit të Republikës.

Lexo më shumë  Si “Spin Doctor-ët” e Tiranës po e mbysin të vërtetën e Zvërnecit dhe Rrjollit

Prandaj, sfida e Kosovës sot nuk është thjesht zgjedhja mes pushtetit dhe opozitës. Sfida
është zgjedhja mes dy filozofive politike: asaj që e sheh shtetin si instrument për forcimin e
sovranitetit dhe të interesit publik, dhe asaj që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete,
pavarësisht formulave, aleancave dhe kompromiseve që duhen bërë për ta arritur atë.
Një opozitë që bashkohet kryesisht nga kundërshtimi ndaj një njeriu, e jo nga një vizion i përbashkët për
shtetin, nuk prodhon alternativë; ajo prodhon vetëm front politik. Një opozitë që investon në frikë, në
krijimin e gjendjes alarmuese dhe në skenarë katastrofikë, në vend të ideve dhe programeve, nuk e
forcon demokracinë; ajo e varfëron atë, e vret atë.
Në fund, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë thjesht për emra, parti apo koalicione. Ata do të votojnë
për drejtimin që do të marrë Republika. Dhe pikërisht aty do të shihet nëse “muskëtierët” e rinj të
politikës kosovare përfaqësojnë një vizion të ri për shtetin apo thjesht një aleancë të përkohshme të
ndërtuar mbi parimin: “Të gjithë kundër njërit”.
Historia ka dëshmuar se koalicionet e ngritura mbi kundërshtimin zakonisht zgjasin sa kundërshtari i
tyre. Ndërsa projektet e ndërtuara mbi ideale, vizion dhe interes shtetëror i mbijetojnë kohës. Kjo është
arsyeja pse beteja e vërtetë nuk zhvillohet mes pozitës dhe opozitës, por mes politikës së Republikës
dhe politikës së pushtetit.

Rruga Press

YouTube player