Dikur i quante grekët “parazitë”, sot përfaqëson interesat e Amerikës së Trumpit në Greqi
Shkruan Enver Robelli
Ambasadorja e Donald Trumpit në Athinë është person mjaft special. Dhe kjo mund të kuptohet në mënyra të ndryshme. Dikur i quante grekët “parazitë”, sot përfaqëson interesat e Amerikës së Trumpit në Greqi. Një gazetë zvicerane e ka përshkruar ambasadoren Kimberly Guilfoyle një Kim Kardashian të diplomacisë. Përveçse i konsideronte grekët “parazitë”, Guilfoyle ishte e bindur (në vitin 2015, si moderatore e Fox News) se ata duhet të ndëshkohen si kafshët e paedukuara shtëpiake. Pastaj Guilfoyle u bë një ikonë e lëvizjes trumpiste MAGA dhe i përshkruante demokratët si rrezik për Amerikën. Guilfoyle ka qenë e lidhur me të birin e madh të Trumpit, por në aspektin privat nuk ka pasur frikë nga afërsia edhe me demokratët: Guilfoyle ka qenë e martuar me Gavin Newsom, i cili është guvernator i Kalifornisë dhe ka ambicie për të kandiduar për president të SHBA-së.
Këto ditë Kimberly Guilfoyle ka ngjallur vëmendjen e mediave amerikane dhe zemërimin e opinionit grek. Sipas gazetës amerikane “Wall Street Journal” (WSJ), ajo në një darkë me politikanë grekë në Athinë, në muajin mars, foli edhe për rënien e qeverisë rumune. Guilfoyle citohet të ketë thënë: “Në çdo vend ku duam mund ta bëjmë këtë. Mund ta bëjmë edhe këtu”. Kjo deklaratë e saj thuhet se acaroi aq shumë nervat e ministrit grek të energjisë, Stavros Papastavrou, i cili, sipas raporteve, iu përgjigj ambasadores së Trumpit se SHBA-të s’mund të rrëzonin qeverinë greke, meqë ajo ishte e zgjedhur nga populli.
Siç raporton “WSJ”, shumë zyrtarë të qeverisë së Athinës ishin fillimisht të lumtur që vendi i tyre – një kohë të gjatë i injoruar nga SHBA-ja – po gëzonte vëmendje nga e dërguara e Washingtonit. Por tani gjërat kanë ndryshuar dhe shumë politikanë grekë kanë frikë dhe i druhen një konflikti me SHBA-në. Avokati i ambasadores Guilfoyle i kundërshton këto përshkrime, sipas “WSJ”.
Guilfoyle, shkruan “WSJ”, me gjasë ka vetëm një qëllim: të bindë sa më shumë vende të Europës Lindore që të blejnë gaz të lëngshëm amerikan (LNG). Ndonëse dëshira e saj për shitje të gazit në vetvete nuk paraqet ndonjë problem, diçka tjetër ka nxitur debate: në udhëtimet e saj, ambasadorja Guilfoyle është shoqëruar nga lobisti grek Christos Marafatsos. Sipas raportimeve të “WSJ”, ai është vazhdimisht në krah të saj, aq sa u konsiderua gabimisht si shef i stafit të ambasadores së SHBA-së për Greqinë. Guilfoyle është parë duke hyrë e dalë edhe nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Në pranverë, Shqipëria nënshkroi me Greqinë dhe SHBA-në një marrëveshje me kohëzgjatje 20-vjeçare dhe në vlerë prej 6 miliardë dollarësh për të furnizuar Shqipërinë me gaz të lëngshëm amerikan.
Marafatsos thuhet se është lobist kryesor për kompaninë greke të ndërtimit “Aktor Group” – një emër i ri në sektorin e gazit. Ambasadorja Guilfoyle raportohet se është dërguar me një avion privat nga kreu i kompanisë, Alexandros Exarchou, ndër të tjera edhe në Bullgari. Atje, 57-vjeçarja ka lobuar që vendi të lidhë një marrëveshje me “Aktor Group” për të blerë gaz amerikan në vlerë prej miliarda eurosh. “Aktor” llogarit se nga ky biznes do të fitojë rreth 2 miliardë dollarë.
Kur arriti në Athinë vitin që shkoi, edicioni grek i revistës “Vogue” e prezantoi ambasadoren në ballinë dhe në një storje prej 8 faqeve, shoqëruar me poza të Guilfoyle me fustane elegante të mbrëmjes dhe kostume biznesi. Tani shkëlqimi i dikurshëm është zhdukur – së paku në sytë e shumë grekëve.
Rruga Press

