Vlora turistike sërish pa ujë/ Rrjeti i amortizuar i ujësjellësit lë mijëra familje në mëshirë të fatit
Pas një defekti të rëndë të regjistruar në rrjetin kryesor të ujësjellësit, problemet me furnizimin me ujë të pijshëm janë rikthyer në qytetin e Vlorës.
Ndërprerja ka prekur disa zona të qytetit, ndërsa autoritetet lokale kanë nisur ndërhyrjen për riparimin e avarisë.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë bëri të ditur se shkak i situatës është një dëmtim në tubacionin kryesor 500, pranë zonës së “Miramare”, çka ka detyruar stakimin e të gjitha stacioneve të furnizimit me ujë.
Sipas UKV-së, ekipet teknike ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal për qytetarët. Institucioni thekson se ndërhyrja është e domosdoshme për të shmangur dëmtime të tjera në rrjetin e ujësjellësit.
Në njoftimin zyrtar, UKV kërkon mirëkuptimin e banorëve deri në stabilizimin e situatës, ndërsa paralajmëron se punimet pritet të zgjasin gjatë gjithë natës.
Kjo nuk është hera e parë që qyteti përballet me probleme të tilla. Në muajin dhjetor, Vlora qëndroi për katër ditë pa ujë për shkak të një tjetër defekti në rrjetin kryesor, situatë që preku mijëra familje dhe biznese. Në atë rast, riparimi u realizua vetëm pas mbërritjes nga Turqia të pjesëve hidraulike të nevojshme për sistemin.
Rruga Press

