KryesoreOpinion/Aktualitet

Pse suksesi politik i Albin Kurtit po krijon panik në studiot televizive në Shqipëri

Shkruan Bashkim Rodoni

Ka diçka pothuajse komike në mënyrën se si një pjesë e studios televizive shqiptare po përpiqet të flasë për Kosovën. Jo komike në kuptimin e humorit. Komike në atë kuptimin e vjetër tragjik, kur njeriu fillon të djersijë duke mbrojtur një gënjeshtër që nuk e beson më as vetë.

Dhe aty fillon spektakli.

Analisti hap hartën politike të Kosovës me fytyrën e një eksperti ushtarak që po shpjegon frontin lindor, por pas pesë minutash e kupton që nuk po flet fare për Kosovën. Po flet për Tiranën. Për ankthin e Tiranës. Për frikën provinciale të një klase politike që nuk e shqetëson vetëm pushteti i Kurtit, por diçka shumë më e rëndë: fakti që simpatia popullore për të është organike.

Kjo është pjesa që nuk falet. Jo Kurti si kryeministër por Kurti si precedent psikologjik. Ideja që një politikan shqiptar mund të fitojë mbështetje masive duke sulmuar hapur sistemin e vjetër të kapjes së shtetit, pa kërkuar leje nga oligarkia mediatike, pa bekimin ceremonial të kastës së tranzicionit dhe pa e ulur kokën para klubit të vjetër të interpretuesve profesionistë të “realitetit”. Kjo është arsyeja pse kanë filluar ato analogjitë haluçinante. Papritur çdo studio televizive ngjan si mbledhje urgjente e një shoqate hidraulikësh metafizikë që po përpiqen të ndalojnë rrjedhjen e perceptimit publik.

Lexo më shumë  Vitia: Spitali i Vushtrrisë do të zgjerohet me investim 7.5 milionë euro

Dhe aty dëgjon gjëra të jashtëzakonshme. Që një njeri që erdhi si reagim ndaj korrupsionit sistemik është në fakt problemi i demokracisë. Që partitë që ndërtuan nepotizmin institucional qenkan sot garancia kundër autoritarizmit. Që mekanizmat e vjetër të kapjes së shtetit duhen mbrojtur nga rreziku i reformimit të tyre. Sigurisht, e gjitha kjo thuhet me një seriozitet liturgjik, sikur po shpallet ndonjë ungjill institucional mbi shpëtimin e republikës.

Në një moment fillon e kupton se këta njerëz nuk po mbrojnë më as parti, as ideologji, as figura konkrete. Po mbrojnë një ekuilibër psikologjik. Sepse Kurti nuk i tremb vetëm si politikan. I tremb si mundësi imitimi. I tremb ideja që publiku shqiptar mund të fillojë të bëjë një pyetje fatale: “Po sikur problemi të mos ketë qenë kurrë mungesa e alternativës, por mungesa e guximit për të prekur mekanizmin?”

Dhe mekanizmi është i dukshëm. Kosova nuk prodhoi krizën nga hiçi. Ajo e trashëgoi. Partitë që sot flasin për demokraci si viktima të autoritarizmit janë po ato që qeverisën për vite pa reformuar asgjë esenciale. Ndërtuan një shtet ku patriotizmi përdorej si dekor moral mbi një administratë klienteliste, ku institucioni trajtohej si pronë koalicioni, ku drejtësia nuk ndërtohej për të kontrolluar pushtetin por për ta mbrojtur nga pasoja juridike.

Lexo më shumë  Osmani sulmoi Kurtin pasi nuk arriti qëllimet politike. " Lakmia po e shpërfytyrojka njeriun! Ose po ja nxjerrka fytyrën e vërtetë"

Dhe kjo është pika ku debati bëhet vërtet brutal. Sepse për herë të parë pas shumë vitesh nuk po diskutohet vetëm rotacioni por mundësia e ndërprerjes së imunitetit historik të kastës politike. Aty fillon paniku i vërtetë. Prandaj studiot mbushen me tym semantik. “Kompleksitet.” “Radikalizëm.” “Populizëm.” “Rrezik institucional.” “Destabilitet rajonal.” Fjalë të mëdha për të fshehur një frikë shumë të vogël dhe shumë primitive: frikën se publiku mund të fillojë të krahasojë.

Sepse krahasimi është armiku më i madh i propagandës. Mjafton që qytetari shqiptar të krahasojë tonin me rezultatin, frikën mediatike me realitetin, alarmet televizive me kujtesën e vet dhe në atë moment bie i gjithë dekori.

Prandaj analisti elastik nuk ka më luksin të analizojë. Ai duhet të prodhojë mjegull pa ndërprerje. Duhet të lodhë publikun derisa instinkti moral të humbasë energjinë për të dalluar disproporcionin. Ky është profesioni i ri: jo interpretues i realitetit, por menaxher i perceptimit. Jo ushtar i ideologjisë, por roje e klimës psikologjike të tranzicionit.

Dhe ironia më e madhe është se sa më shumë flasin për demokracinë, aq më shumë zbulojnë frikën e tyre patologjike nga një popull që mund të fillojë të mendojë pa përkthyes

Rruga Press

YouTube player