Investim 12 milionësh në TC “Kosova B”: Nënshkruhet kontrata për pastrimin e lumit Sitnica
Në ambientet e Termocentralit “Kosova B” është nënshkruar kontrata për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve, në kuadër të projektit për përmirësimin e cilësisë së ujit në lumin Sitnica.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, projekti parasheh krijimin e një sistemi të integruar për trajtimin e ujërave të ndotura në këtë termocentral, me qëllim operim më të sigurt, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cilësoi këtë investim si hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit dhe avancimit të standardeve në sektorin energjetik.
“Ky projekt përputhet me prioritetet tona për forcimin e infrastrukturës energjetike publike dhe përmirësimin e saj, duke e bërë më të besueshme, më efikase dhe në përputhje me standardet mjedisore”, ka deklaruar ajo.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe UNOPS-it.
Gjatë prezantimit u bë e ditur se projekti do të trajtojë lloje të ndryshme të ujërave të ndotura, përfshirë ato industriale, ujërat me përmbajtje vajrash dhe kimikatesh, rrjedhjet nga zonat e depozitimit të qymyrit, si dhe ujërat atmosferike dhe sanitare.
Projekti, me vlerë prej 12 milionë euro, financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në bashkëpunim me institucionet vendore. Ai pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së lumit Sitnica dhe në përmirësimin e standardeve mjedisore dhe shëndetësore në vend.
Postimi i Plotë:
Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujëave të ndotura dhe objektit të magazinimit të kimikateve: Do të përmirësohet cilësia e ujit në Lumin Sitnica
Në ambientet e Termocentrali “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) u mbajt ceremonia zyrtare e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve, në kuadër të projektit “Përmirësimi i cilësisë së ujit të lumit Sitnica përmes ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në TC “Kosova B”.
Projekti do të mbështesë ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve në Termocentrali “Kosova B”, si pjesë e një sistemi të integruar të projektuar për operim të sigurt, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Me këtë rast, Ministrja Artane Rizvanolli theksoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit në Kosovë, duke reflektuar angazhimin e përbashkët të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë për zhvillim të qëndrueshëm.
“Ky projekt përputhet plotësisht me prioritetet tona sektoriale për forcimin e infrastrukturës energjetike publike si një shtyllë kyçe e sigurisë së furnizimit me energji. Prioriteti ynë nuk ka qenë vetëm ruajtja e kapaciteteve gjeneruese, por përmirësimi i tyre duke i bërë më të besueshme, më efiçiente dhe në përputhje me standardet mjedisore”, ka thënë ajo.
Përveç Ministres Rizvanolli, në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë vendës dhe ndërkombëtarë, përfshirë Fitore Pacolli Dalipi, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Bashkimin Evropian, si dhe përfaqësues të Korporata Energjetike e Kosovës dhe Zyrta e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).
Gjatë aktivitetit, u prezantuan objektivat, rezultatet e pritshme dhe ndikimi i projektit, të cilat përfshijënë krijimin e një sistemi sistem më të plotë dhe më të besueshëm për menaxhimin e rrjedhave të ndryshme të ujërave të ndotura, përfshirë ujërat industriale, ujërat me përmbajtje vajrash, ujërat e ndikuara nga kimikatet, rrjedhjet nga zonat e depozitimit të qymyrit, ujërat atmosferike dhe ujërat sanitare.
Projekti pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në trajtimin e ujërave të ndotura dhe në uljen e ndotjes së lumit Sitnica, duke kontribuar në arritjen e standardeve më të larta mjedisore dhe shëndetësore.
Ky projekt në vlerë 12 milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me institucionet vendore, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Rruga Press

