Elbasan, qytetarët përballen me rritjen e çmimeve të produkteve bazë: Nuk po ia dalim dot të plotësojmë vaktet
Qytetarët e Elbasan po përballen me një situatë të vështirë ekonomike për shkak të rritjes së menjëhershme të çmimeve të produkteve bazë, përveç rritjes së çmimit të karburantit.
Sipas tyre, kjo është e papranueshme dhe shumë familje nuk po arrijnë të sigurojnë të treja vaktet e ditës. Ata shprehen se qeveria duhet të kishte marrë masa më herët për të zbutur ndikimin e kësaj rritjeje.
“Shpesh dalim duar bosh nga tregu i fruta-perimeve sepse nuk mund t’i blejmë ose duhet të përgjysmojmë sasitë dhe të mos ushqehemi si duhet,” thonë qytetarët.
Ata konsiderojnë rritjen e çmimeve si të pa justifikueshme dhe ndihen të harruar nga institucionet. Ndryshe nga disa vende të tjera ku masat për zbutjen e pasojave nga lufta janë marrë me kohë, në Shqipëri nuk ka pasur ndërhyrje të ngjashme, sipas tyre.
Mosha e tretë është grupi që po preket më shumë, pasi pensionet nuk mund të mbulojnë më asgjë dhe nuk ka pasur asnjë shpjegim zyrtar për rritjen e çmimeve.
Nga ana tjetër, tregtarët në tregun e fruta-perimeve shprehen se kjo situatë ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit dhe po shkakton një braktisje të tregut nga blerësit.
Rruga Press

