Tri huqje kardinale të Vjosa Osmanit në vetëm 5 minutat e para te intervista mbrëmë
Nga Besnik Krasniqi
Tri huqje kardinale i paska Vjosa Osmani në vetëm 5 minutat e parë te intervista e realizuar mbrëmë nga Çim Peka. Si të mos ishte presidente, e lëre më edhe asistente në Juridik.
1
Presidentja paska insistuar se nuk pati rrugë tjetër pos ta shpërndante Kuvendin. Paska thënë se vendimi ishte detyrim dhe obligim kushtetues.
Jo, Shkëlqesi!
Presidenti i shtetit është palë e autorizuar për të ngre çështje në Gjykatën Kushtetuese. Duke qenë se askund në Kushtetutë nuk shkruan se Kuvendi duhet të shpërndahet në rrethanat aktuale, ke mundur që, para se ta nxirrësh Dekretin, t’i drejtohesh Gjykatës me pyetje të thjeshtë rreth konfliktit të kompetencave: Cilat janë pasojat për një legjislaturë që nuk arrin ta zgjedh Presidentin as 30 ditë para skadimit të mandatit të atij aktual? Dhe, rrjedhimisht, a duhet ta shpërndajë Presidenti Kuvendin apo jo, në një rrethanë të tillë? Kaq e thjeshtë është kjo punë.
2
Presidentja Osmani relativizoi shkeljen potenciale që mund t’ia konstatojë asaj Kushtetuesja, duke thënë se Gjykata deri më sot ka konstatuar dhjetëra shkelje nga Qeveria dhe Kuvendi dhe se këto “i kemi parë brenda normales”.
Jo Shkëlqesi!
Do të duhej ta dije këtë gjë që e dinë edhe laikët. Sipas Kushtetutës, i vetmi bartës institucioni që përballet drejtpërdrejt me pasoja për shkelje të këtillë është Presidenti. Akti më i lartë juridik i shtetit e përcakton qartë se për shkelje të rëndë të Kushtetutës, Presidenti mund të shkarkohet. Sanksion i këtillë dhe as sanksione më të buta nuk ekzistojnë për bartësit e institucioneve të tjera.
3
Pyetja e parë që Çimi ia shtroi Presidentes ishte: Pse Kurti nuk e çoi në Kushtetuese Thaçin për deklaratat për shkëmbim territoresh, ndërsa juve po për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit. Dhe përgjigjja e Osmanit filloi me: “Natyrisht që kjo është një pyetje e vazhdueshme…”, duke i dhënë kështu legjitimitet pyetjes.
Jo Shkëlqesi!
Me këtë përgjigje, tregove tjetër problem në njohje bazike të Kushtetutës. Deklaratat nuk çohen në Gjykatë. Në të kontestohen ligje, dekrete e akte tjera, por jo deklarata verbale politike. Si është e mundur që nuk e korrigjuat gazetarin për këtë shkarje, por ia legjitimove pyetjen?
Si Presidente nuk do të duhej t’i bëje këto huqje, e lëre më si alamet juriste që na shitesh.
Rruga Press

