Rizvanolli në Kanada: Prioritet ringjallja e transformimi i sektorit minerar
Prioritetet strategjike të Ministrisë së Ekonomisë në sektorin minerar i ka prezantuar ministrja, Artane Rizvanolli në Toronto të Kanadasë, atje ku po mbahet një nga konferencat më të mëdha globale të eksplorimit mineral dhe industrisë minerare, PDAC 2026.
Siç bëhet e ditur, gjatë takimeve bilaterale, Rizvanolli zhvilloi diskutime me përfaqësues të lartë nga vende partnere. Ajo ka thekuar se Kosova ka një traditë të gjatë minerare, me kompleksin “Trepça” që e ka quajtur si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në dekadat e kaluara.
“Ajo nënvizoi se prioritet i Ministrisë së Ekonomisë është ringjallja dhe transformimi i sektorit minerar, duke e zhvilluar atë jo vetëm si industri nxjerrëse, por edhe përmes rritjes së kapaciteteve përpunuese brenda vendit”, citohet të ketë thënë ajo.
Bëhet e ditur se sektori minerar u theksua si sektor strategjik për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare, veçanërisht në kontekstin global, ku thuhet se mineralet kritike janë thelbësore për tranzicionin energjetik dhe avancimin teknologjik.
Komunikata thotë se ministrja Rizvanolli riafirmoi se zhvillimi i këtij sektori do të realizohet në partneritet me vende aleate dhe të besueshme, duke kontribuar në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit.
“Për mandatin e dytë qeverisës, Ministria e Ekonomisë do ta ketë sektorin minerar ndër prioritetet kryesore. Për ndërmarrjen publike “Trepça” po shqyrtohet modeli i partneritetit publiko-privat për modernizimin dhe zhvillimin e saj, duke përfshirë investime në teknologji bashkëkohore dhe në përpunim të mëtejmë”, ka thanë Rizvanolli.
Në këtë konferencë, Kosova përveç Rizvanollit, u përfaqësua edhe nga ministrja, Mimoza Kusari-Lila.

