Drejt fundit gjyqi në Hagë: Debatet për përgjegjësitë, dënimet dhe keqpërdorimin e emrit të Adem Jasharit
Nga Enver Bytyçi
Gjyqi i të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë është drejt fundit. Akuza dhe mbrojtja e thanë tashmë fjalën e fundit. Akuza kërkoi një dënim prej 180 vitesh burg për të katër të akuzuarit. Një kërkesë kjo shumë ekstreme dhe joracionale, ashtu si edhe e palogjikshme. Narrativa e akuzës shkon te pohimi se “janë bërë krime kundër luftës dhe krime kundër njerëzimit”! E vërteta është se nuk ka asnjë dëshmi që provon se janë bërë krime kundër njerëzimit.
Kësisoj, edhe sikur akuza për krime lufte të qëndrojë, dënimet do të jenë shumë të ulëta. Por ajo që më dëshpëron lidhet me faktin se autorët kryesorë të krimeve janë jashtë asaj salle dhe bankës së akuzës. Këta janë Fatos Klosi, Xhavit Haliti dhe Azem Syla, të cilët e kanë drejtuar në kohën e luftës Hashim Thaçin. Eshtë gjithashtu Edi Rama, i cili e detyroi Thaçin të punojë për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Jo rastësisht akuza ndaj tij u shpall publikisht kur ish-presidenti i Kosovës po udhëtonte në avion drejt SHBA-ve për të nënshkruar marrëveshjen e ndarjes së Kosovës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kjo ishte punë e Edi Ramës.
Por nuk po ndalem gjatë në këtë rezyme. Nëse të akuzuarit janë ose jo, fajtorë, këtë nuk e vendos as prokuroria, as mbrojtja. E vendos trupi gjykues. Për sa kam dijeni, Jakup Krasniqi do të dalë nga Haga e to të kthehet në familjen e tij, sepse nuk shoh prova se ai ka bërë ndonjë krim, përveç vetëmburrjes së tij në librat e shkruar për luftën. Mundet që të lirohet edhe Kadri Veseli. Mendim ndryshe kam për fajësinë ose pafajësinë e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit. Sido që të jetë, ata gjykohen në atë gjykatë si individë. Identifikimi i tyre me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, më vetë Kosovën dhe kombin shqiptar është taktikë qëllimkeqe e politikës së Tiranës dhe Edi Ramës që i shërben vetëm agjendës së Serbisë.
Pavarësisht kësaj, më ka bërë përshtypje fakti se avokati mbrojtës i zotit Thaçi shtroi një pyetje retorike: – A mos edhe Adem Jashari ishte pjesë e kësaj organizate kriminale?, tha ai. Se çfarë kishte të bënte Adem Jashari dhe sakrifica e tij unike në rruzullin tokësor me gjyqin e Hagës dhe me Hashim Thaçin, vetëm ky avokat injorant e di. Por përmendja e heroit kombëtar të Kosovës dhe shqiptarisë si argument për të shfajësuar klientin e tij, është idiotizmi më i madh që kam dëgjuar. A mos avokati luan për agjendën serbe të “inkriminimit” të UÇK-së e madje edhe të Adem Jasharit?! Edhe nëse pyetja e tij të ishte retorike ose ironike, sërishmi përmendja e emrit të Adem Jasharit është një akt i dëmshëm për imazhin e Kosovës.
Por unë dua t’i përmbahem të vërtetës. Hashim Thaçi dhe Adem Jashari nuk kanë asgjë të përbashkët. Adem Jashari sakrifikoi veten dhe 56 anëtarë të familjes së tij, mes tyre fëmijë nën pesë vjeç, për lirinë e Kosovës. Hashim Thaçi nuk ka asnjë viktimë në rrethin e tij familjar, megjithëse në Kosovë u vranë nga terroristët serbë mbi 13 mijë shqiptarë dhe u përdhunuan mbi 20 mijë të tjerë. Adem Jashari respektoi si luftëtarët e rrugës paqësore të Ibrahim Rugovës edhe ata të armëve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi u investua fuqishëm me përkrahjen e Fatos Klosit, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës për të luftuar për pushtet. Pikërisht kjo diferencë ka shërbyer që policia dhe ushtria serbe ta masakrojë Adem Jasharin dhe familjen e tij, ndërsa ta “ruajë” ekzistencën fizike të njerëzve të Hashimit.
Krahasimi idiot nga avokati i zotit Thaçi të Hashimit me Adem Jasharin është dashakeq. Sepse i shërben narrativës serbe se Adem Jashari ishte “terrorist”! Emri i Adem Jasharit nuk mund të përdoret si mburojë për askënd, për asnjë ish-komandant, me ose pa faj qoftë në kryerjen e detyrave dhe misionit të tij. Adem Jashari është ikonë që nuk preket. Njësoj si Skënderbeu, Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova. Askush nuk ka të drejtë të bëjë analogji, qoftë dhe sarkastike, si kjo!
Rruga Press

