Fonde publike në rrezik/ Tenderat 47.7 milionë euro të AKSHI-t për vitin 2026 nën hijen e hetimeve të SPAK-ut
AKSHI planifikon të tenderojë rreth 4.58 miliardë lekë ose rreth 47.7 milionë euro gjatë vitit 2026 për 10 projekte kryesore në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit.
Sipas të dhënave të analizuara nga ekofin.al të Open Data Albania, projekte të AKSHI-t sipas vlerës së parashikuar për shpenzim gjatë vitit 2026, evidenton në krye të listës për vlerë më të lartë parashikuar projektin ‘Modernizimi i sistemit të prokurimeve publike’, me rreth 1.15 miliardë lekë të planifikuara për këtë vit.
Projekti është pjesë e paketës së projekteve GovTech, të mbështetura me financim nga Banka Botërore (marrëveshje huaje 9483-AL dhe 97780-AL). Vlera totale e projektit është rreth 1.9 miliardë lekë, ndërsa financimi i planifikuar për vitin 2026 përbën rreth 60.7% të vlerës totale.
I dyti në renditje sipas vlerës 2026, ‘Përmirësimi i shërbimeve elektronike me teknologji mikroservisi’, paraqitet me 600 milionë lekë të planifikuara për vitin 2026. Ky projekt po ashtu pjesë e paketës së projekteve GovTech, nisur në vitin 2024, ka një vlerë totale portofoli prej rreth 1.7 miliardë lekë dhe pritet të përfundojë në vitin 2027.
‘Implementimi i Platformës Qeveritare të Ndërveprimit 2.0 dhe site sekondar’ renditet projekti i tretë për vlerë financimi 2026, me planifikim prej 563.6 milionë lekësh.
Në vijim renditen projekte të tjera me financime të konsiderueshme për vitin 2026, ku përfshihen ‘Sistemet TIK për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (DPT) (Integrim në BE)’, me 463 milionë lekë, ‘Sistemet TIK për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) dhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) (Integrim në BE)’, me 400 milionë lekë, ‘Implementimi i infrastrukturës së qendërzuar’, me 336.2 milionë lekë, ‘Shoqëria Oracle’, me 300 milionë lekë, si dhe projekte të tjera mbështetëse të sistemeve financiare dhe të menaxhimit të dokumenteve.
Megjithatë, këto plane investimi zhvillohen në një moment kur AKSHI ndodhet në qendër të hetimeve të SPAK-ut, pikërisht për procedurat e prokurimit dhe tenderat publikë. Hetimet kanë ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe ligjshmërinë e disa kontratave, duke e bërë edhe më të rëndësishëm monitorimin e përdorimit të fondeve publike dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit institucional. /ekofin.al


Rruga Press

