KryesoreLajme

Rast pas rasti/ Si po shemben projektet e florinjta të dyshes Rama-Balluku

Një problem i veçuar me rrugët mund të shpjegohet me faktorë natyrorë, një tjetër me gabime njerëzore, por kur brenda pak vitesh shembjet, rrëshqitjet dhe çarjet bllokojnë vepra të sapoinauguruara, atëherë ky është një fenomen që kërkon të analizohet para se të marrë jetë njerëzish.

Këtë të dielë, radha ishte e aksit Librazhd-Prrenjas, që u bllokua për rreth shtatë orë për shkak të rrëshqitjes masive të gurëve dhe dherave mbi karrexhatë.

Qindra automjete që lëviznin nga Tirana drejt Korçës dhe anasjelltas mbetën të bllokuara, ndërsa autoritetet hapën vetëm një kah të qarkullimit pas ndërhyrjes së mjeteve të rënda.

Policia njoftoi se drejtuesit e mjeteve mund të përdornin itinerare alternative, ndërsa autoritetet rrugore apeluan për kujdes maksimal për shkak të punimeve në vijim. Rrëshqitja e dherave ndodhi tek Kthesa e Dragostunjës, në një rrugë që është prej vitesh në përdorim, por sërish mbetet e ekspozuar ndaj të njëjtave probleme, rrëshqitje, bllokime dhe mungesë parandalimi efektiv.

Shkurt 2024, Korçë–Ersekë, rrugë e re që shembet para se të përdoret

Më shkurt 2024, një pjesë e aksit të sapondërtuar Korçë–Ersekë u shemb në zonën e njohur si Qafa e Qarrit, duke krijuar një gropë të madhe në trupin e rrugës. Rruga kishte një gjatësi totale prej rreth 35 kilometrash dhe ishte projektuar si rrugë e kategorisë C, me një korsi për çdo sens dhe gjerësi rreth 8.5 metra. Kostoja totale e projektit kishte shkuar rreth 60 milionë euro, duke e bërë një nga rrugët dytësore më të shtrenjta për kilometër në vend.

Shembja ndodhi përpara inaugurimit zyrtar, ndonëse autoritetet kishin deklaruar më herët se punimet ishin në fazë të avancuar. Ministrja e Infrastrukturës kishte pohuar publikisht se “pjesa e parë e lotit të dytë ishte përfunduar në 99 për qind”. Në këtë kontekst, dëmtimi fizik i rrugës përpara dorëzimit ngriti pikëpyetje serioze mbi cilësinë e ndërtimit dhe studimet gjeologjike të kryera në një zonë të njohur për terren të vështirë malor.

Punimet për këtë aks kishin nisur që në vitin 2013, ndërsa afatet e përfundimit ishin shtyrë disa herë.

Shkurt 2024, Rruga e Arbrit bllokohet nga rrëshqitjet shkëmbore

Më shkurt 2024, aksi nacional Tiranë–Peshkopi, i njohur si Rruga e Arbrit, u bllokua në zonën e Shkallës së Tujanit për shkak të rrëshqitjes së masiveve shkëmbore. Qarkullimi u ndërpre plotësisht, duke lënë dhjetëra mjete të bllokuara në të dy anët e rrugës. Sipas raportimeve, në terren u dërguan fadromat e kompanisë kontraktore për pastrimin e segmentit dhe rikthimin e qarkullimit.

Lexo më shumë  Shpërthime të fuqishme trondisin Iranin

Ky aks është promovuar si një nga projektet më strategjike infrastrukturore në vend, që lidh Tiranën me Dibrën dhe më tej me verilindjen. Megjithatë, bllokimi për shkak të rrëshqitjeve vuri në dyshim qëndrueshmërinë e projektit në një zonë me probleme të theksuara gjeologjike, të njohura prej dekadash.

Nëntor 2025, Qukës–Qafë Plloçë, rruga 260 milionë euro që nuk i reziston shiut të parë

Në nëntor 2025, rruga Qukës–Qafë Plloçë, një nga projektet më të shtrenjta dhe më të stërzgjatura të infrastrukturës shqiptare, u shemb pas reshjeve të para serioze të vjeshtës. Segmenti, me një kosto totale rreth 260 milionë euro, shfaqi rrëshqitje masive shkëmbore, dëmtime të barrierave mbrojtëse dhe degradim të asfaltit në disa pjesë.

Pamjet treguan se dëmtimi ishte kozmetik, por struktural, me masa të mëdha shkëmbore të rëna mbi karrexhatë dhe segmente të tëra të rrugës të dëmtuara brenda pak minutash.

Ky projekt ishte promovuar si investim strategjik për lidhjen e juglindjes me korridoret kryesore kombëtare, por pas rrëshqitjes, Autoriteti Rrugor Shqiptar i lau duart me një njoftim ku shprehej se ishin: “Reshjet e dendura të shiut… që kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35.”

Dhjetor 2025, Pogradec–Qafë Plloçë, shembet bankina dhe trotuari

Më dhjetor 2025, një pjesë e bankinës dhe trotuarit në aksin Pogradec–Qafë Plloçë, pranë fshatit Gështenjas, u shemb plotësisht. Sipas raportimeve, bashkë me rrëshqitjen e trotuarit u dëmtuan edhe rrjetet nëntokësore, ndërsa u duk se shembja rrezikonte edhe karrexhatën.

Ky segment ishte rikonstruktuar dhe zgjeruar si investim publik që kishte përfunduar që në shtator 2018, duke përfshirë korsitë, trafikndarësit, trotuaret dhe ndriçimin. Megjithatë, në momentin e shembjes, aksi rezultonte prej muajsh pa ndriçim, ndonëse kalon përmes zonave të banuara, duke rritur ndjeshëm rrezikun për këmbësorët.

Dhjetor 2025, Shembet edhe rruga e re Shëngjin-Velipojë

Në dhjetor të 2025, për shkak të rrëshqitjes së dherave, trasea e rrugës Shëngjin-Velipojë ka pësuar çarje në një gjatësi të konsiderueshme dhe rrezikon shembjen e plotë pranë fshatit Rrjoll.

Një krah i lëvizjes në zonën ku janë konstatuar rrëshqitjet e dherave mbeti i bllokuar për shkak të rrezikshmërisë për drejtuesit e automjeteve. Kompania që ka ndërtuar këtë segment rrugor vendosi barriera betoni dhe sinjalistikë në një gjatësi prej 50 metrash, në vendin ku ndodhi shembja për të bërë riparimin.

Rruga panoramike Shëngjin–Velipojë u hap për qarkullimin e automjeteve në pranverë të 2025. Ky segment rrugor, me gjatësi 15 km, është investim i Qeverisë Shqiptare me vlerë 3.8 milionë euro.

Lexo më shumë  Ballkani: Duhet të ndalojmë së fshehuri kokën në rërë

Janar 2026, Tuneli i Murrizit, çarje pas inaugurimit

Pak ditë më parë u publikuan pamje që tregonin plasaritje dhe çarje të shumta në bordurën anësore dhe tavanin e Tunelit të Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit. Tuneli ishte hapur për qarkullim më 14 mars 2025, me ceremoni dhe deklarata se ishte ndërtuar sipas standardeve më të larta teknike.

Më pas, Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmoi zyrtarisht se tuneli nuk ishte dorëzuar ende për procedurat e kolaudimit. Ekspertë të fushës theksuan se hapja e një tuneli pa akt kolaudimi përbën shkelje të rëndë ligjore, pasi kolaudimi është garancia formale e sigurisë strukturore.

Tuneli i Murrizit është vepra kryesore e një projekti që ka kushtuar rreth 450 milionë euro. Problemet e shfaqura vetëm pak muaj pas hapjes kanë qenë objekt i akuzave për cilësinë e punimeve dhe presionin politik për inaugurim para përfundimit teknik.

Janar 2026, Tuneli i Llogarasë, rrjedhje uji në mure

Në janar 2026, pamje virale treguan rrjedhje uji nga tavani i Tunelit të Llogarasë pas reshjeve të dendura. Ekspertët shpjeguan fenomenin si pasojë e formacioneve gëlqerore dhe presionit të shtuar të ujërave nëntokësore, duke sqaruar se nuk kishte domosdoshmërisht rrezik të menjëhershëm strukturor.

Megjithatë, për një tunel të sapondërtuar, me kosto dhjetëra miliona euro, rrjedhjet e ujit nuk janë normale.

Tuneli i Llogarasë është shoqëruar gjithashtu me hetime për rritje fiktive kostosh, probleme me lejet e ndërtimit dhe dyshime për shkelje ligjore në procesin e zbatimit. Kosto totale e tunelit arrin rreth 190 milion euro.

Rrugë të shtrenjta, standarde të lëkundura

Sipas raporteve të Komisionit Europian, Bankës Europiane të Investimeve dhe OECD, kostoja mesatare e ndërtimit të një kilometri rruge në vendet e Bashkimit Europian varion nga 2 deri në 6 milionë euro për kilometër, edhe në terrene të vështira, përfshirë studimet, mbikëqyrjen dhe masat e sigurisë.

Në Shqipëri, shumë projekte rrugore kanë arritur kosto nga 5 deri në mbi 10 milionë euro për kilometër, ndërsa disa segmente i kanë tejkaluar ndjeshëm këto shifra. Diferenca nuk reflektohet në cilësi apo jetëgjatësi, por në një infrastrukturë që çahet, shembet dhe bllokohet.

Këto janë të ashtuquajturat “rrugë të florinjta” për nga çmimi sepse për nga cilësia, floriri zbehet pas shiut të parë dhe krahasimi më i përshtatshëm është ai i rrugëve prej kallaji, të shndritshme në inaugurim, por të brishta në përdorim./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player