KryesoreLajme

Hoti për ndryshimet në Kodin Penal në Shqipëri: Shndërrohen në mjet frike, kriminalizon qytetarët dhe mbron kriminelët

DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETJA E PD, ELDA HOTI

Edi Rama ka vendosur të kalojë nesër në Kuvend ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, të cilat përfshijnë masa të reja represive ndaj qytetarëve shqiptarë dhe medias. Edhe pse ky projektligj paraqitet si një nismë për përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në thelb përfaqëson një zhvendosje të rrezikshme drejt penalizimit disproporcional dhe kontrollit politik përmes ligjit penal.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, projektligji:

-ashpërson në mënyrë disproporcionale masat penale;

-rrit minimumet e dënimit dhe kufizon diskrecionin e gjykatës;

-krijon paqartësi juridike, duke cenuar parimet themelore të sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.

Veçanërisht shqetësuese janë ndryshimet që lidhen me:

nenin 120, i cili hap rrugë për kriminalizim të paqartë të sjelljeve dhe shprehjeve, duke krijuar rrezik real për abuzim dhe ndjekje selektive;

nenin 237, i cili, përmes formulimeve të gjera dhe të paqarta, mund të përdoret si instrument ndëshkues ndaj protestës qytetare dhe mosbindjes civile;

nenin 238, i cili forcon një qasje penale represive ndaj qytetarëve, duke zhvendosur balancën nga mbrojtja e rendit kushtetues drejt mbrojtjes së autoritetit politik.

Lexo më shumë  Akuzë e rreme për dhunë nga Njësia Speciale në veri – pamjet e kamerave e rrëzojnë propagandën

Në kulmin e absurditetit juridik, këto ndryshime synojnë kriminalizimin e parkimit të dyfishtë me dënim deri në tre vite burg. Ky është një akt i rrezikshëm dhe i padrejtë, pa asnjë lidhje me sigurinë publike, por me zhvendosjen e vëmendjes nga dështimet reale të qeverisë.

Në një vend ku mungojnë parkimet publike, ku urbanistika është shkatërruar nga ndërtimet pa leje dhe ku institucionet kanë dështuar të garantojnë hapësira funksionale qarkullimi, qeveria zgjedh rrugën më të lehtë: burg për qytetarët, amnisti për përgjegjësit.

Sjellje tipike e një pushteti që nuk ndërton shtet, por kërkon të mbulojë paaftësinë e vet përmes frikës penale.

Është e papranueshme që një shkelje administrative të trajtohet si vepër penale, ndërkohë që korrupsioni i nivelit të lartë, zënia e trojeve publike dhe shkeljet e rënda urbanistike mbeten realisht të pandëshkuara.

Kjo cenon drejtpërdrejt parimin e proporcionalitetit: nuk mund të barazohet një parkim i gabuar me vepra penale që rrezikojnë seriozisht rendin shoqëror.

Lexo më shumë  Skuadra polake gjobitet nga UEFA për banerin “Kosova është Serbi”

Ligji penal duhet të jetë mjeti i fundit i ndërhyrjes shtetërore, jo një instrument frike për të maskuar dështimin institucional. Në vend të ndërtimit të parkimeve, përmirësimit të infrastrukturës dhe zbatimit korrekt të ligjit administrativ, propozohet burgu. Kjo nuk është reformë, por një precedent i rrezikshëm që hap rrugën për kriminalizimin e përditshmërisë.

Edhe vetë Raporti i Konsultimit Publik dëshmon se një sërë komentesh profesionale dhe shqetësimesh thelbësore janë refuzuar, duke u shtyrë në mënyrë të papërgjegjshme për një “Kod Penal të ri”, ndërkohë që ndryshimet më problematike kërkohet të miratohen me urgjencë.

Në tërësi, ky projektligj e shndërron Kodin Penal nga një mjet mbrojtjeje të shoqërisë në një instrument kontrolli dhe frikësimi, duke goditur qytetarët e zakonshëm, lirinë e shprehjes dhe të drejtën për protestë, ndërkohë që krimi i organizuar dhe korrupsioni qeveritar mbeten të paprekur.

Rritja e dënimeve penale nuk është reformë. Represioni penal nuk zëvendëson shtetin ligjor, institucionet funksionale dhe luftën reale kundër korrupsionit.

Çdo përpjekje për të forcuar pushtetin përmes frikës penale është e papranueshme dhe do të kundërshtohet me vendosmëri.

YouTube player