KryesoreLajme

PPNEA: Vizita e Kushner dhe Ivanka Trumpit lidhet me ndërtimin e një qyteti të ri në Zonën e Mbrojtur Vjosë–Nartë

Organizata mjedisore PPNEA ka reaguar ndaj raportimeve mediatike për vizitën e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Vlorë, duke thënë se publikut nuk po i thuhet e vërteta e plotë mbi qëllimin e kësaj vizite.

Sipas PPNEA-së, ndryshe nga sa është raportuar gjerësisht në media se bëhet fjalë për investimin e planifikuar në ishullin e Sazanit, vizita e tyre lidhet në fakt me plane për ndërtimin e një qyteti të ri brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë–Nartë. Organizata thekson se media duhet të informojë mbi interesin publik dhe jo të relativizojë apo fshehë projekte që rrezikojnë trashëgiminë natyrore të vendit.

Lexo më shumë  Trumpi fton presidenten Osmani në Bordin e Paqes

PPNEA paralajmëron se një nga zonat më të veçanta dhe të paprekura të Shqipërisë, pranë Lagunës së Nartës, po përgatitet të betonizohet dhe të shndërrohet në një tjetër kompleks urban masiv, të ngjashëm me Golemin, i kombinuar me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, por pa përfitime reale për vendin.

Sipas reagimit, rreth 14 kilometra vijë bregdetare e egër, pjesë e zonës së mbrojtur dhe unike për biodiversitetin dhe shërbimet natyrore që ofron, rrezikon të shndërrohet në rrugë asfalti, ndriçim artificial dhe ndërtime luksoze, duke përjashtuar natyrën e egër dhe komunitetet lokale.

PPNEA lidh këto zhvillime me ndryshimet e fundit ligjore për zonat e mbrojtura, të cilat u kërkuan si kusht nga Komisioni Evropian për mbylljen e kapitullit të mjedisit në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Megjithatë, organizata shpreh shqetësimin se edhe vetë Bashkimi Evropian po qëndron i heshtur përballë asaj që e cilëson si një masakër të planifikuar ndaj rrjetit të zonave të mbrojtura, veçanërisht në Vjosë–Nartë.

PPNEA u bën thirrje institucioneve, mediave dhe opinionit publik që të reagojnë dhe të mbrojnë pasuritë natyrore të vendit nga projekte që, sipas saj, rrezikojnë mjedisin dhe interesin afatgjatë të Shqipërisë.

Rruga Press

YouTube player