Zvarritja e vendimit për Ballukun hyn në muajin e dytë, për qeverinë është “standard europian”
Prej dy muajsh, Kuvendi i Shqipërisë po zvarrit procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit për zv.kryeministren Belinda Balluku, ndërsa kjo e fundit është marrë e pandehur dhe po hetohet për veprën penale të ‘shkeljes së barazisë në tendera’ në disa procedura me vlerë qindra-milionë euro.
Por për ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, sjellja e Kuvendit tregon ‘një sjellje europiane’ dhe nuk cënon reformën në drejtësi.
“Që në momentin kur kryeministri i një force politike vë re që se ka një mësymje të një pushteti tjetër në kompetencat e pushtetit që ai drejton dhe i drejtohet gjykatës, nuk anatemon dhe nuk shantazhon në mënyrë vulgare personale familjare prokurorin e strukturës, por drejtohet tek arbitri shtetëror që është gjykata. Unë këtë e quaj europianizim dhe konsolidim të reformës në drejtësi, sepse do të flasin institucionet,” tha Gogu të martën në përgjigje të pyetjes së BIRN.
Gogu i bëri komentet gjatë një konferencë për mediat, ku i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Integrimin, Majlinda Dhuka dhe ministrja e Shtetit për Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, folën për hapat që po ndjek qeveria në përafrimin e legjislacionit në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian.
Sipas Gogut, Kuvendi do të presë që të zgjidhet konflikti gjyqësor mes Kryeministrit dhe Gjykatës së Posaçme para se të shprehet për kërkesën e SPAK, duke iu referuar çështjes për masën tjetër ndaj Ballukut e cila shqyrtohet me 22 janar në Gjykatën Kushtetuese.
“Kur institucionet respektojnë afatet e njëri-tjetrit, pavarësinë e njëri-tjetrit dhe kur ‘ndeshjen’ proceduriale para gjykatave e bëjnë pikërisht për të bërë këtë gjë, ky është europianizim dhe institucionalizim dhe nuk e cënon fare reformën në drejtësi, përkundrazi i shton një element tjetër sigurie,” pretendoi ai më tej.
SPAK dorëzoi në Kuvend kërkesën për dhënien e autorizimit për zbatimin e një mase të re ndalimi ndaj Ballukut bashkë me një dosje voluminoze hetimore ndaj saj, por pas një mbledhjeje të ndërprerë në mes të Këshillit për Mandatet, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi refuzoi kërkesat e anëtarëve të opozitës për mbledhjen e këtij këshilli duke e lënë shqyrtimin e kërkesës pezull.
Balluku u mor e pandehur në tetor për Tunelin e Llogarasë, ndërsa më vonë ndaj saj u shtuan akuza për shkelje të barazisë në tendera dhe për Unazën e Madhe të Tiranës.
Gjykata e Posaçme, GJKKO, vendosi masën e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit dhe pezullim nga detyrat ekzekutive si Zv.kryeministre dhe ministre e Transporteve dhe Energjisë, masë e cila u ankimua nga kryeministri Edi Rama në Kushtetuese si ndërhyrje e pushtetit gjyqësor në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.
Mbledhja e dytë e Këshillit të Mandateve është lajmëruar në datën 28 janar. /Reporter.al/
Rruga Press

