Familjarët e Erjon Bobës: Gjatë operimit të djalit në spitalin e Durrësit ikën dritat
Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili ndërroi jetë dje pas gjashtë ditësh trajtimi në Spitalin Universitar ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, kanë treguar detaje të rënda për kushtet e renda në Spitalin e Durrësit, ku adoleshenti u operua fillimisht pas plagosjes me thikë.
Sipas familjarëve, gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Durrës është ndërprerë energjia elektrike, duke e detyruar stafin mjekësor të ndërpresë operacionin dhe të kërkojë transport urgjent drejt Tiranës. Ata thonë se kjo situatë, bashkë me mungesën e infrastrukturës spitalore, përfshirë ashensorin për emergjencat, ka ndikuar rëndë në përkeqësimin e gjendjes së të miturit.
‘Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, iknin dritat, prandaj e çuan në Tiranë urgjent. Gjendja e djalit u përkeqësua, sepse e kemi mik shtëpie dhe jemi në dijeni të çdo gjëje.
Po. Kjo ka ndodhur vërtet. Si në mesjetë. Operim pa drita, por çdokush do të mbulojë diçka, që nga vrasësit, policia, spitali, media, të gjithë gënjejnë se nuk kanë qenë aty. Për 5 ditë, askush. Mjekët aty janë munduar, por kushtet janë fatale, as ashensor nuk kishte për emergjencat’, u shpreh halla e të ndjerit në një prononcim për JOQ.
Familjarët kërkojnë hetim për neglizhencë dhe mungesë të kushteve bazë, duke akuzuar institucionet për ‘heshtje dhe mbulim të së vërtetës’. Ata shprehen se për pesë ditë me radhë askush nga autoritetet nuk ka dhënë sqarime për situatën në spital.
Konflikti që çoi në vdekjen e Erjon Bobës ndodhi më 25 nëntor, jashtë shkollës ‘Dom Nikollë Kaçorri’ në Durrës. Sherri kishte nisur pas ofendimeve në rrjete sociale mes Bobës dhe një 14-vjeçari me inicialet M.K., që më pas u përshkallëzua në një takim për ‘sqarim’ pranë shkollës.
Gjatë përplasjes, 14-vjeçari e goditi katër herë me thikë bashkëmoshatarin e tij, duke e plagosur rëndë në gjoks, pranë zemrës. Fillimisht ai u dërgua në Spitalin e Durrësit, e më pas në QSUNT, ku qëndroi në kujdes intensiv për disa ditë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Rruga Press

