LDK u ankua në PZAP ku kërkoi anulimin e vendimit të KQZ-së për vendvotime shtesë për mërgatën
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur të bllokojë përmes Pabelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendimin e KQZ-së për shtimin e qendrave të votimit në diasporë. Dokumentet zyrtare të PZAP-së, të cilat i ka siguruar KosovaNews, tregojnë qartë se ankesa e ka bërë Donat Lushaku nga LDK ku u kërkua anulimi i vendimit që synonte lehtësimin e votimit për shqiptarët jashtë vendit.
LDK kundër zgjerimit të votimit jashtë Kosovës — për arsye “ligjore”, por me motiv politik të lexueshëm
Në ankesën e dorëzuar nga LDK — e firmosur dhe e protokolluar zyrtarisht në PZAP — partia pretendon se vendimi i KQZ-së për të krijuar “Qendra Alternative të Votimit” është i paligjshëm, sepse votimi jashtë vendit duhet të zhvillohet vetëm nëpër ambasada dhe konsullata, ose përmes postës, duke përjashtuar mundësinë e qendrave të reja të votimit në hapësira të ndryshme.
PZAP i jep të drejtë LDK-së — anulon vendimin e KQZ-së
Vendimi i PZAP-së, i publikuar sot, aprovon ankesën e LDK-së dhe urdhëron anulimin e plotë të vendimit të KQZ-së Nr.01/3438 – 2025.
Në arsyetim, PZAP thotë se KQZ e ka tejkaluar autorizimin kushtetues duke “shpikur” një formë të re të organizimit të votimit — gjë që sipas tyre nuk lejohet.
Reagimet në rrjete sociale dhe komentet e analistëve kanë qenë të ashpra: LDK po akuzohet hapur se po sabotohen votat e diasporës nga frika se ato mund të shkojnë më shumë drejt kundërshtarëve politikë, veçanërisht Vetëvendosjes.
Ndërkohë, vetë LDK — e cila publikisht deklaron se “respekton dhe vlerëson diasporën” — me këtë veprim shihet duke e kufizuar drejtpërdrejt mundësinë e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje. /kosovanews/


Rruga Press

