KryesoreLajme

Sveçla: VV rritje historike në zgjedhje, por Prishtina mbeti peng i pazareve politike

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e vlerësuar rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) si më të mirin ndonjëherë në nivel lokal, ndonëse ka pranuar se pritshmëritë kanë qenë edhe më të larta.

“Dje u zhvillua dhe u përmbyll me sukses procesi i raundit të dytë zgjedhor ku qytetarët patën mundësinë të zgjedhin udhëheqjen e komunave të tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! doli shumë më mirë se gjitha herat në zgjedhje lokale. Patjetër që pritshmëritë tona, me të drejtë, ishin më të mëdha,” – shkroi Sveçla.

Ai theksoi se në disa komuna kërkohet më shumë punë dhe sqarim i konceptit politik ndaj votuesve, ndërsa për Prishtinën tha se “askush nuk është fitues, por humbësi më i madh është qytetari i saj.”

“VV humbi jo nga shpalosja apo bashkimi i ideve, por nga koalicioni i pazareve të llojeve e niveleve të ndryshme. Koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do t’i kushtojë më së shumti qytetarit,” – theksoi ai.

Sveçla shtoi se qëllimi i VV-së tani është të minimizojë dëmin dhe të punojë në të mirë të qytetarëve dhe shoqërisë, ndërsa falënderoi aktivistët për angazhimin e tyre.

Lexo më shumë  Dhuna mes të miturve, alarmante! Vetëm në Tiranë 110 raste të denoncuara në 2025

Në fund, ai iu referua kritikave të fundit ndaj tij, duke thënë se ka reaguar gjithmonë kundër shkeljeve dhe padrejtësive, në çdo rol që ka pasur.

“Edhe kur kam qenë Drejtor i Inspeksionit, edhe si Deputet e tash Ministër, e mbi të gjitha gjithmonë si aktivist, unë kam reaguar ndaj shkeljeve e padrejtësive. Kështu do të vazhdoj, drejt dhe me shumë punë!” – përfundoi Sveçla.

Rruga Press

YouTube player