Al Jazeera: Kryeministri i Shqipërisë thotë se samiti i NATO-s i vitit 2027 nuk do të mbahet në Tiranë – Kritika për shpenzimet e ulëta në mbrojtje, teksa Rama përballet me protesta prej disa muajsh
Shqipëria është përballur me kritika për shpenzimet e ulëta në mbrojtje, ndërsa Rama po përballet gjithashtu me presion të brendshëm pas disa muajsh protestash.
NATO nuk do të mbajë vitin e ardhshëm samitin në Shqipëri, siç ishte planifikuar, ka deklaruar kryeministri Edi Rama, ndërsa qeveria e tij po përballet me kritika për shpenzimet e mbrojtjes dhe protestat në vend.
Duke folur të enjten në Dublin, në prag të një takimi të liderëve evropianë, Rama tha se “ende nuk ka një qëndrim të përbashkët lidhur me kohën se kur do të mbahet samiti, por me siguri jo në vitin 2027”.
Ai shtoi: “Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”.
Një zyrtar i NATO-s deklaroi se samiti i ardhshëm “do të mbahet në Shqipëri”, ndërsa vendimi për datën ende nuk është marrë.
Dyshimet mbi mbajtjen e samitit
Agjencia Reuters raportoi në qershor se planet për mbajtjen e një samiti në Shqipëri ishin vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimit nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare të NATO-s lidhur me shpenzimet e ulëta të Tiranës për mbrojtjen.
Në deklaratën e miratuar në samitin e qershorit 2025 në Hagë, liderët e NATO-s shprehën pritshmërinë për t’u takuar në Turqi në vitin 2026, “e më pas për një takim në Shqipëri”.
Megjithatë, deklarata e samitit të korrikut në Ankara nuk përmbante asnjë përmendje të kohës apo vendit të takimit të ardhshëm.
NATO ka shqyrtuar mundësinë e ndërprerjes së praktikës së fundit të mbajtjes së samiteve çdo vit, gjë që mund të shmangte një përballje potencialisht të tensionuar me Trumpin në një fazë të mëvonshme të mandatit të tij.
Diplomatët thonë se aleanca mund të organizojë ende një samit këtë vit, me një njoftim në një afat të shkurtër, por jo në Tiranë, raportoi Reuters.
Presioni i brendshëm
Rama, i cili është në pushtet prej 13 vitesh, është përballur me protesta prej disa muajsh.
Protestat nisën në maj, pasi ai dha miratimin paraprak për ndërtimin e një resorti luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, në zonën e mbrojtur ligatinore të Vjosë-Nartës, në Zvërnec, në bregdetin jugor të Shqipërisë, si dhe në ishullin e Sazanit, aty pranë.
Të pagëzuara si “Revolucioni i Flamingove”, protestat u zgjeruan në protesta më të gjera kundër qeverisë, me kërkesën për dorëheqjen e Ramës për shkak të akuzave për korrupsion. Ato u shoqëruan gjithashtu me protesta të dhunshme të studentëve në tetor, për shkak të kushteve në universitete.
Rama ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe deklaron se resorti është në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian. Qeveria e tij i ka cilësuar protestat si të organizuara nga kundërshtarët politikë.
Rruga Press

