KryesoreLajme

Sveçla: VV rritje historike në zgjedhje, por Prishtina mbeti peng i pazareve politike

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e vlerësuar rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) si më të mirin ndonjëherë në nivel lokal, ndonëse ka pranuar se pritshmëritë kanë qenë edhe më të larta.

“Dje u zhvillua dhe u përmbyll me sukses procesi i raundit të dytë zgjedhor ku qytetarët patën mundësinë të zgjedhin udhëheqjen e komunave të tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! doli shumë më mirë se gjitha herat në zgjedhje lokale. Patjetër që pritshmëritë tona, me të drejtë, ishin më të mëdha,” – shkroi Sveçla.

Ai theksoi se në disa komuna kërkohet më shumë punë dhe sqarim i konceptit politik ndaj votuesve, ndërsa për Prishtinën tha se “askush nuk është fitues, por humbësi më i madh është qytetari i saj.”

“VV humbi jo nga shpalosja apo bashkimi i ideve, por nga koalicioni i pazareve të llojeve e niveleve të ndryshme. Koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do t’i kushtojë më së shumti qytetarit,” – theksoi ai.

Sveçla shtoi se qëllimi i VV-së tani është të minimizojë dëmin dhe të punojë në të mirë të qytetarëve dhe shoqërisë, ndërsa falënderoi aktivistët për angazhimin e tyre.

Lexo më shumë  Stradner: Rezoluta e kongresmenëve amerikanë për Kosovën është sinjal i fortë politik, e afron me NATO-n

Në fund, ai iu referua kritikave të fundit ndaj tij, duke thënë se ka reaguar gjithmonë kundër shkeljeve dhe padrejtësive, në çdo rol që ka pasur.

“Edhe kur kam qenë Drejtor i Inspeksionit, edhe si Deputet e tash Ministër, e mbi të gjitha gjithmonë si aktivist, unë kam reaguar ndaj shkeljeve e padrejtësive. Kështu do të vazhdoj, drejt dhe me shumë punë!” – përfundoi Sveçla.

Rruga Press

Lexo më shumë  Diaspora e Kosovës ka 12 ditë afat për t’u regjistruar si votues
YouTube player